Pa flamuj partie apo fjalime politike, do të mbahet sot në Tiranë manifestimi i madh mbarëshqiptar nën moton “Liria ka një emër, drejtësi për çlirimtarët”.
Në orën 17:00 qytetarët do të grumbullohen në sheshin Skënderbej për të kërkuar edhe njëherë drejtësi për ish drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët mbahen në paraburgimin e Hagës.
Protesta është organizuar nga shoqata e veteranëve të luftës dhe pritet të mbledhë mijëra qytetarë, shoqërinë civile dhe figura të njohura politike nga trojet shqiptare.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, ka njoftuar se Rruga e Kombit do të jetë pa pagesë për 24 orë ditën e premte, ku janë paralajmëruar se do të kalojnë nga Kosova drejt Tiranës 60 autobusë.
Ish-krerët e UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë dhe ndaj tyre po zhvillohet procesi gjyqësor nën akuzat për krime lufte, të cilat ata i kanë mohuar.
Protestë e ngjashme e organizuar nga veteranët e UÇK u zhvillua edhe në Prishtinë më 7 gusht dhe në Hagë më 14 shtator. (A2 Televizion)