Kanë nisur reshje bore në zonat e larta malore të qarkut të Kukësit. Reshjet janë regjistruar fillimisht në zonën e Shishtavecit dhe Valbonës.
Borë ka edhe në segmentin Ura e Kollovozit-Shishtavec të rrugës nacionale Kukës–Shishtavec, si dhe në aksin Bajram Curri–Valbonë, shkruan A2.
Aktualisht nuk raportohen probleme në qarkullimin e mjeteve, pasi kompanitë përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve janë në terren dhe po punojnë për pastrimin e borës dhe trajtimin e saj me kripë.
I gjithë qarku i Kukësit furnizohet me energji elektrike, përveç disa fshatrave të Njësisë Administrative Bytyç, konkretisht Kam, Lajthiz, Haxhibegaj, Zogaj dhe Xhuxhë; fshatrave Llugaj dhe Pac të Njësisë Administrative Llugaj; si dhe fshatit Çerem të Njësisë Administrative Margegaj, bashkia Tropojë.
Ndërkohë, zonat e ulëta të Kukësit vijojnë të jenë nën ndikimin e reshjeve të shiut. Si pasojë, rrugët nacionale dhe ato bashkiake mbeten problematike, për shkak të rënies së gurëve, inerteve dhe dherave, si dhe bllokimeve të tombinove në disa segmente. (A2 Televizion)