
Punonjësit e OSHEE-së në juglindje të vendit po përballen gjatë orëve të fundit me vështirësi të mëdha për shkak të këputjes së përcjellësve dhe erës së fortë.
Në pamjet e mbërritura në A2 CNN janë disa momente pune të elektricistëve në Çervenakë të Pogradecit, të cilët mes furtunës po punojnë për vendosjen e shtyllave të thyera nga era e fortë.

Ndërkohë vijojnë problemet me vërshimin e ujërave në aksin nacional Pogradec-Qafë Thanë. Krahas problematikës me daljen e shtratit pranë fshatit Gur i Kuq ku vijon puna për zhbllokllimin e kulluesit, janë edhe dy zona të tjera në këtë aks që kanë shfaqur probleme në ditën e sotme pranë fshatit Udënisht dhe në Pojskë pranë burgut.

Si pasojë e reshjeve dhe aluvioneve janë bllokuar pusetat kulluese duke bërë që uji dhe aluvione të dalin mbi rrugë duke penguar qarkullimin e mjeteve. Aktualisht në zonë kanë shkuar mjete dhe po punojnë për të stabilizuar situatën ndërsa në zonat problematike lëvizja bëhet vetëm me një korsi.
(A2 Televizion)