Lumi i Verdovës në Bashkinë e Pogradecit vijon të mbetet një nga problematikat më serioze dhe të pazgjidhura prej vitesh, ndërsa situata është përkeqësuar ndjeshëm ditët e fundit.
Drejtori i Emergjencave Civile në Bashkinë e Pogradecit, Nexhmi Torra, konfirmoi se përmbytjet kanë shkaktuar dëme të dukshme në toka bujqësore, në segmentin rrugor të unazës, por edhe banesa, duke rritur shqetësimin për sigurinë e banorëve.
Sipas Torrës, bashkia ka hartuar prej kohësh një projekt të plotë për zgjidhjen përfundimtare të situatës, por mungesa e fondeve ka detyruar institucionin të kërkojë mbështetje nga qeveria dhe strukturat përkatëse. Drejtori i Emergjencave apeloi për bashkëpunim të menjëhershëm mes Bashkisë së Pogradecit, Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe OSHEE-së, pasi situata aktuale rrezikon në çdo moment edhe bllokimin e rrugës, duke e kthyer lumin e Verdovës në një kërcënim real për jetën dhe infrastrukturën e zonës.
(A2 Televizion)