
Në Bashkinë e Devollit situata më problematike nga reshjet ka qenë në fshatin Progër, ndërsa në dy fshatra ka patur shkarje dheu. Të dhënat u bënë publike nga nënprefekti i Devollit Henrik Rusi, sipas të cilit aktualisht po punohet për rregullimin e argjinaturës së lumit të Oshticës.
“Për sa i përket Bashkisë së Devollit Situatë më problematike ka qenë në Progër, niveli i ujit ka rënë me ndërprerjen e reshjeve. Në Cangonj dhe Mançurisht situata është normalizuar. Çarja e argjinaturës së lumit të Oshticës kam folur me drejtorin e bordit dhe është duke dërguar një grup ekspertësh për mundësinë e rregullimit të argjinaturës”, tha ai raporton A2 CNN.
Sipas Rusit, probleme nga bora ka pasur në rrugët e fshatit Rakickë e Shuec, në të cilat ka ndërhyrë bashkia për hapjen e tyre.
“Nga bora problem në rrugët e fshatit Rakickë e Shuec ka ndërhyrë bashkia dhe ka bërë hapjen e rrugëve. Strukturat e emergjencave civile janë në terren për të identifikuar familjet që mund të kenë probleme nga përmbytjet. Dhe në këto momente bashkia po punon në rrugët e fshatit Grapsh dhe Vidovë se ka patur shkarje dheu dhe po bën të mundur kalimin e mjeteve”.
(A2 Televizion)