Nisin “ethet” e garës për kryepolicin, Çela kandidat potencial, Pëllumb Seferi i preferuari i ndërkombëtarëve

Nga Igli Çelmeta
5 Mars 2026, 18:46 | Aktualitet

Ethet e garës për zgjedhjen e drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit kanë nisur. Që prej datës 3 mars, kur Ministria e Brendshme hapi zyrtarisht garën, e deri më 11 mars çdo oficer policie që mban gradën “drejtues” mund të dorëzojë aplikimin me postë ose me email.

Edhe pse kanë kaluar vetëm dy ditë nga hapja e garës, emrat e kandidatëve potencialë kanë nisur të përfliten, edhe pse jo të konfirmuar zyrtarisht, pasi lista me kandidatët zyrtarë do të bëhet publike nga Ministria e Brendshme më 11 mars. Pas largimit të Ilir Prodës, mazhoranca pritet të ndryshojë profil, duke kërkuar një figurë më pak të përfolur dhe më pak të sulmuar.

Emrat që përfliten janë të shumtë. Mes tyre është edhe oficeri i karrierës Elidon Çela, i cili aktualisht mban postin e drejtorit të Policisë së Vlorës. Më parë, Çela ka mbajtur edhe detyrën e drejtorit të AMP-së në Tiranë. Ai vjen nga një karrierë e gjatë në Policinë e Shtetit dhe konsiderohet nga mazhoranca si një nga figurat më të pastra në radhët e policisë.

Vetëm një ditë pas çeljes së garës, të mërkurën e 4 marsit, Çela është parë në ambientet e Ministrisë së Brendshme, edhe pse zyrtarisht nuk dihet arsyeja e kësaj vizite. A2 CNN disponon pamjet kur ai i drejtohet godinës së ministrisë, duke përforcuar edhe më shumë zërat se mund të kandidojë për postin e kryepolicit të vendit, ndonëse aplikimi bëhet vetëm përmes postës ose emailit.

Në një moment kur mazhoranca po kërkon një figurë të pastër për drejtimin e policisë, një nga kriteret kryesore për drejtorin e ri të Policisë së Shtetit pritet të jetë edhe mbështetja e faktorit ndërkombëtar, për shkak të procesit të negociatave me Bashkimin Europian.

Sipas burimeve, ndërkombëtarët mbështesin oficerin e karrierës Pëllumb Seferin, drejtorin e Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Policinë e Shtetit që prej vitit 2020, i cili konsiderohet prej tyre si një nga figurat më të pastra në institucion. Burime për A2 CNN bëjnë me dije se Seferi pritet të kandidojë për postin e kryepolicit.

Gjatë drejtimit të tij janë realizuar edhe ekstradimet e bujshme nga Dubai, plot 14 të tilla, duke thyer edhe mitin e Emirateve të Bashkuara Arabe si një “azil” për personazhe të botës së krimit. Në këtë aspekt, Policia e Shtetit nën drejtimin e Seferit ka arritur rezultate edhe më të larta se policitë e vendeve si Italia dhe Turqia, të cilat ende nuk kanë mundur të realizojnë ekstradime nga Dubai.

Seferi aktualisht mban edhe pozicionin e Presidentit të Shoqatës së Studentëve Europianë që kanë kryer studimet në Akademinë Kombëtare të FBI-së në SHBA. Në vitin 2023, ministri i Brendshëm i Spanjës i ka akorduar Seferit Urdhrin e Meritës Policore me Kryqin e Bardhë, ndërsa në vitin 2022, Presidenti i Republikës së Italisë i ka dhënë Medaljen e Kalorësit.

Gara për postin e kryepolicit mes Çelës dhe Seferit pritet të jetë e fortë. Përveç tyre, pritet të kandidojnë edhe drejtues të tjerë të Policisë së Shtetit, si Artion Duka, Arjan Muça dhe Ardian Çipa.

Gjithsesi, pas përfundimit të procesit të konkurrimit, vendimin final e merr kryeministri Edi Rama, i cili shpesh ka surprizuar me zgjedhjet e tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos