“Një ëndërr që bëhet realitet”, përurohet Xhamia e Plumbit në Shkodër

Nga Senad Nikshiqi
8 Maj 2025, 16:37 | Aktualitet

“Një ëndërr që bëhet realitet”. Me këto fjalë e ka përkufizuar inaugurimin e Xhamisë së Plumbit, Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari. Ku objekt kulti është inauguruar gjatë ditës së sotme me prezencën e personaliteteve dhe Ambasadorit Turk në Tiranë.

Për kreun e Bashkisë së Shkodrës Benet Beci, restaurimi i plotë I xhamisë së plumbit, është një moment që na bën krenar të gjithëve pasi i kthen dinjitetin këtij objekti kulti unik në të gjithë Ballkanin.

Ambasadori Turk në Shqipëri, Tayyar Kağan Atay në fjalën e tij jo vetëm që vlerësoi investimin e bërë nga qeveria turke, por edhe restaurimin e plotë të këtij objekti që vjen si bashkëpunim mes dy qeverive asaj turke dhe qeverisë shqiptare.

Xhamia e Plumbit është një nga monumentet më të rëndësishme të arkitekturës osmane në Shqipëri. E ndodhur pranë hyrjes së Kalasë së Rozafës, në një pikë të veçantë ku përplasen historia dhe natyra, kjo xhami është simbol i identitetit kulturor të Shkodrës.

E ndërtuar në vitin 1773, ajo mori emrin "Xhamia e Plumbit" për shkak të mbulesës së saj me plumb, një element unik që i ka dhënë rezistencë dhe hijeshi. Struktura është ndërtuar sipas stilit klasik osman me kupolë qendrore, katër kupola më të vogla dhe një minare elegante, ndërsa ambienti përreth pasqyron qetësi dhe madhështi historike.

Pas dëmeve të përsëritura nga përmbytjet dhe koha, ajo u restaurua falë bashkëpunimit të Qeverisë Turke dhe Qeverisë Shqiptare dhe sot qëndron më e bukur se kurrë, si një dëshmi e gjallë e bashkëjetesës fetare, trashëgimisë kulturore dhe rezistencës së Shkodrës përballë kohës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos