“Nuk kemi qenë të përfshirë”, OSBE: Kodi i ri Penal, do kohë të mjaftueshme dhe konsultim të plotë

Nga Indrit Maraku
3 Gusht 2025, 16:34 | Aktualitet

Prezenca e OSBE në Tiranë nuk është konsultuar nga autoritetet shqiptare gjatë hartimit të draftit për Kodin e ri Penal. Në një reagim për mediat, zyra e OSBE në Tiranë thekson se bëhet fjalë për një ligj themelor që meriton kohë të mjaftueshme dhe një proces konsultimi të plotë, teksa shpreh gatishmërinë të ofrojë ekspertizën e saj.

“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri thekson rëndësinë e Kodit Penal si një ligj themelor që meriton kohë të mjaftueshme dhe një proces konsultimi të plotë. Megjithëse nuk kemi qenë të përfshirë në hartimin e ndryshimeve të propozuara, ne po shqyrtojmë draftin e disponueshëm dhe jemi të gatshëm t’u ofrojmë rekomandime konkrete qeverisë dhe parlamentit të ri, në përputhje me mandatin tonë për të mbështetur institucionet demokratike dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri”.

Më herët edhe prezenca e Bashkimit Europian konfirmoi se nuk ishte konsultuar për draftin, teksa bëri thirrje për një konsultim sa më të gjerë.

Referuar veçanërisht shqetësimeve mbi lirinë e medias, Kryeministri Rama konfirmoi se para kalimit në Parlament, Kodi i ri Penal do të konsultohet edhe me ekspertët e Brukselit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos