Pavarësisht bllokimit të Hormuzit që solli çmimeve të kripura për karburantet, Shqipëria importoi muajin e shkuar naftë më shumë se kurrë ndonjëherë. Në mars u blenë nga jashtë plotë 26 mijë e 903 tonë karburant, gati 5 mijë tonë më tepër se një vit më parë.

Referuar shifrave, importet e marsin ishin më të larta edhe se janari e shkurti, kur lufta nuk kishte nisur ende dhe çmimi ishte ende në nivelet e 173-175 lekë për litër naftë.
Marrë që nga fillimi i vet, importet e karburanteve kapën nivelin e gati 159 mijë tonëve, 311 tonë më tepër se janar-marsin 2025.

Kjo në një kohë që pas operacionit amerikano-izraelit në Iran më 28 shkurt, çmimet e naftës në vend u rritën ndjeshëm gjatë marsit.

Importi i karburanteve ka shkuar në linjë me shtimin e automjeteve në qarkullim. Vetëm në tre muajt e parë të vitit u sollën nga jashtë mbi 22 mijë automjete, niveli më i lartë i shënuar ndonjëherë.

Kjo në një kohë që numri i automjeteve që lëvizin në rrugët e vendit po arrin në 1.1 milionë.
Të dhënat tregojnë se 87 për qind e makinave që u regjistruan për herë të parë në janar–mars ishin me naftë, benzinë apo gaz, çmimi i të cilave u shtrenjtua ndjeshëm në mars.

Nafta regjistroi shtrenjtimin më të lartë më 3 prill, duke shkuar në 233 lekë litri, por me uljen e akcizës me 20% nga qeveria, çmimi që u pagua nga konsumatorët ishte 224 lekë. Aktualisht për të përballuar këtë krizë të re që ka përhapur panik në të gjithë botën, në fuqi është edhe bordi i transparencës, ndërsa sektorë të shumtë kërkojnë subvencione direkte. (A2 Televizion)