Në ditën e parë të tetorit rozë, i cili është caktuar si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit në të gjithë botën, A2 CNN ka sjellë përvojën e zonjës Alketa Cukalla Mineu. Ajo rrëfeu në A2 Puls me Bruna Çifligun përvojën e saj të diagnostikimit, trajtimit dhe shërimit nga kanceri i gjirit.
Me lot në sy ajo tregoi momentin kur mbyllej në dhomë për shkak të sëmundjes dhe nuk mund të ndiqte përditshmërinë dhe ecurinë e dy fëmijëve të saj.
“Jam kontrolluar në një klinikë private dhe ndoqa rrugën jo në spital publik. Gjërat nuk janë si para 4-5 viteve që kam parë te mikeshat e mia që e kanë kaluar. Fati im i madh ishte që rastësia e solli që unë ta kapja në fazë të hershme. Mastektominë e kam bërë në një vend fqinj dhe terapinë, ndërsa radiografinë e kam bërë në spital publik për një periudhë 6 mujore. Jam nënë e dy fëmijëve. Të mbyllesh në dhomë, të mos ndjekësh dot përditshmërinë e ecurisë së fëmijëve nuk është e lehtë. Pata mbështetje nga familja e miqtë”, tha ajo në A2 CNN.
Përmes emocioneve zonja Alketa Mineu tregoi kalvarin e vuajtjeve të saj por edhe apeloi për të gjitha gratë dhe vajzat që të mos ia lënë veten rastësisë, sikurse veproi ajo.
“Më besoni nuk jam natyrë qaramane, por kur kthej kokën pas dhe kuptoj se neglizhenca për shëndetin tim më bëri të kaloj një kalvar që mund t’ia kisha kursyer vetes, ua them të gjitha mikeshave të mia të njohura e panjohura; mos e lini veten në dorë të rastësisë. Unë ia lashë rastësisë. Nuk është vetëm tetori rozë. Unë preva shumë fije. Unë kam një profesion që e merrem me ndërgjegjësimin dhe spilat ishin pjesë e përditshmërisë sime, dhuroja spila dhe nuk e kisha kthyer kokën të ndërgjegjësoja veten time”.
Gjatë vitit 2024 janë diagnostikuar 805 raste të reja me kancer gjiri. Këto të dhëna u bënë të dituar në studion e A2 Puls me Bruna Çifligun nga zv. ministrja e Shëndetësisë Eugena Tomini.
Sipas saj numri më i lartë i rasteve të hasura janë në fashën 50-70 vjeç. Sipas saj në fashën 20 vjeç numri është më i pakët, por nuk është zero. Zv.ministrja apelon për depistim të hershëm dhe në kohë.
(A2 Televizion)