Transformimi i integruar i Durrësit përreth zonës historike të amfiteatrit vijon të kundërshtohet me forcë nga banorët e zonës, të cilët i janë drejtuar edhe gjykatës për pezullimin e këtij projekti që parashikon shpronësimin dhe prishjen e dhjetëra banesave.
Banorë të zonës historike të Durrësit përreth amfiteatrit antik, vijojnë protestat e tyre në lidhje me projektin e parashikuar në këtë zonë që shpronëson dhe planifikon prishjen e disa dhjetëra banesave.
Kësaj radhe para bashkisë së Durrësit ata kanë kërkuar vëmendjen e institucioneve ndaj shqetësimeve të tyre, ndërsa kanë ndërmarrë edhe hapa ligjore për të kundërshtuar projektin si dhe vlerën e ulët të shpronësimeve.
Deri tani,14 familje kanë paraqitur sigurim padie, duke kërkuar pezullimin e projektit dhe marrjen në konsideratë të shqetësimeve të tyre përpara çdo vendimmarrjeje përfundimtare. (A2 Televizion)