Kryeqyteti shqiptar çeli edicionin e katërt të panairit të turizmit. Mbi 145 subjekte pjesëmarrëse dhe 40 blerës nga tre kontinente, Europa, SHBA-ja dhe Azia, janë bërë pjesë e eventit më të rëndësishëm të turizmit gjithëvjetor në Shqipëri. Organizatorët e panairit, “Tourism Fair Albania”, tregojnë pse ky aktivitet është shumë i rëndësishëm jo vetëm për bizneset, por edhe për qytetarët.
“Ftojmë të gjithë qytetarët e Tiranës, të gjithë ata që kanë kuriozitetin të vijnë të shohin një panair me 145 ekspozues, të cilët nuk janë vetëm hotele dhe struktura akomoduese që vijnë me oferta turistike, por janë gjithashtu tur-operatorë, janë HORECA, pra i gjithë sektori mbështetës i turizmit. Nëse do të flasim për turizmin, panairi është eventi kryesor i vitit”, thotë Enejda Sheku, CEO, Iceberg Exhibitions.
Operatorë turistikë, struktura akomoduese, teknologji inovative, institucione publike dhe blerës janë bërë bashkë në “Tourism Fair Albania”.
“Është i pamohueshëm roli që luan aeroporti në ekspozimin e Shqipërisë pothuajse në të gjithë botën. Viti 2026 na gjen me 12 destinacione të reja të konfirmuara, me pesë linja ajrore partnere të reja dhe mendoj se ky panair është një iniciativë shumë e rëndësishme”, thotë Manjola Kaso, drejtoreshë pranë TIA.
“Për të lidhur çdo kontakt të mundshëm me partnerët tanë, me hotelet me të cilat bashkëpunojmë, me guidat që duan të punësohen, me mundësitë e trajnimit që ne ofrojmë, me udhëtimet, me gjithë gamën tonë të shërbimeve”, thotë Andi Proda, Elite Group.
“Është një zgjidhje e integruar që fillon nga sistemet për menaxhimin e aktiviteteve të hoteleve, pra sinkronizimi i rezervimeve në platforma të ndryshme, menaxhimi i shërbimeve dhe të tjera, te fiskalizimi automatik brenda sistemit të menaxhimit, tek kontabiliteti dhe tashmë edhe pagesat. Pra, me një kontakt të vetëm, bizneset mund të gjejnë zgjidhje të plotë për të menaxhuar aktivitetin e tyre”, thotë Igli Gjelishti, përfaqësues i DEV.AL.
Drejtues të Unionit Turistik të Shqipërisë dhe Kosovës kanë prezantuar avantazhet në fushën e turizmit gjithëvjetor, por edhe vështirësitë e këtij sektori.
“Ne kemi një platformë tashmë të konsoliduar B2B, me të cilën mund t’u tregojmë ofertat tona. Ne shfaqim përparësitë dhe avantazhet që ka Shqipëria”, thotë Rrahman Kasa, Kryetar i Unionit Turistik Shqiptar.
“Janë pika takimi mes bizneseve dhe krijojnë mundësi që këto biznese të bashkëpunojnë në hartimin e projekteve”, thotë Baki Hoti, Kryetar i Unionit Turistik të Kosovës.
Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Blendi Gonxhja, theksoi rëndësinë e turizmit gjithëvjetor dhe prezantoi disa nga sfidat për këtë sektor të rëndësishëm.
“Në këtë rast kërkohet një kujdesje edhe më e madhe, një promovim dhe një ‘brandim’ i identitetit tonë, si dhe një promovim shumë herë më profesional i këtij identiteti. Këtu një rol të jashtëzakonshëm, natyrisht, do të luajë Agjencia Kombëtare e Turizmit”, tha ai.
Gjatë dy ditëve të panairit të turizmit, vizitorët mund të gjeni jo vetëm partnerë biznesi, por edhe destinacione të rëndësishme, paketa për udhëtime fundjave, për pushime verore, si dhe pjesë të traditës dhe kulturës shqiptare, që mund t’i njohin më nga afër në udhëtimet drejt tyre në çdo stinë të vitit. (A2 Televizion)