
“Kush tenton të vrasë policin dhe djeg institucionet, do të përballet para ligjit”. Kështu u shpreh ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, një ditë pas protestës së opozitës, ku mbetën të lënduar 20 efektivë policie. Në një reagim me video në rrjetet sociale, ministrja theksoi se dhuna ndaj Policisë së Shtetit dhe institucioneve është e pafalshme dhe e dënueshme me ligj. Ajo akuzoi organizatorët e protestës dhe Sali Berishën për tentativën e ardhjes në pushtet përmes dhunës, djegies së institucioneve dhe sulmeve ndaj policisë
“E drejta për të protestuar nuk është e drejtë për të dhunuar shkatërruar apo për të tentuar gjymtimin e vrasjen e efektivëve të policisë. Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit nuk do qëndrojnë duarkryq. Autorët e këtyre akteve barbare do të ndëshkohen maksimalisht sipas ligjit. U bëj thirrje organeve të drejtësisë t’i trajtojnë me përgjegjësi maksimale e ligjore këto sulme barbare ndaj uniformës, pas të cilave qëndrojnë urdhëruesi e fshehur pas imunitetit nën drejtimin e Sali Berishës, një dhunues përsëritës ndaj institucioneve e rendit. Ata duhet të kuptojnë se nuk kanë asnjë mburojë politike. Kush tenton të vrasë policin dhe djeg institucionet nuk merr as çmimin si terroristi më i mirë as mirënjohjen e partisë së tij, por shkon në burg dhe merr ndëshkimin nga ligji”, u shpreh Koçiu, përcjell A2 CNN.
Ministrja dënoi përdorimin e të miturve në protestë dhe akte dhune, duke e cilësuar këtë si vepër penale dhe shkelje të rëndë morale. Sipas saj, institucionet, shoqëria civile dhe familja duhet të luajnë rol aktiv për të mbrojtur të rinjtë nga keqpërdorimi i politikës kriminale.
“Përpjekja e dështuar për të ardhur në pushtet duke goditur punonjësit e rendit, duke djegur institucionet dhe duke përdorur të miturit për të hedhur molotov e sende të forta në drejtim të policisë që të mos ndiqen penalisht autorët e vërtetë është një akt i turpshëm dhe i dënueshëm. keqpërdorimi i të miturve për të kryer akte dhunë është vepër penale, por është një shkelje e rëndë morale. Një rol të posaçëm duhet të luajnë institucionet shoq civile dhe vetë familja për t’i mbrojtur nga përdorimi i politikës kriminale . Është kjo arsyeja pse protesta e PD janë braktisur masivisht nga qytetarët duke përfunduar te një grusht militantësh apo elementë të paguar për të krijuar skenarë imagjinarë të një revolte popullore. Kjo është e paparanueshme”.
Ajo shprehu solidaritet me efektivët e plagosur dhe vlerësoi profesionalizmin dhe vetëpërmbajtjen e forcave të rendit gjatë përballjes me protestuesit e dhunshëm. Sipas saj Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit nuk do të tolerojnë akte kriminale dhe do të qëndrojnë në mbrojtje të qytetarëve, rendit publik dhe institucioneve. (A2 Televizion)