Qëndrimi i Ramës për protestën, reagon Bardhi: Protestat nuk i ndal as gazi lotsjellës as dhuna policore

Nga A2 CNN
11 Shkurt 2026, 11:08 | Aktualitet

Qëndrimi i Ramës për protestën, reagon Bardhi: Protestat nuk

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas qëndrimit të kryeministrit Edi Rama lidhur me protestën e opozitës, duke e akuzuar atë për qasje autoritare dhe përdorim dhune për të mbajtur pushtetin.

Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi deklaroi se Rama foli si të gjithë diktatorët që duan ta mbajnë pushtetin me dhunë, ndërsa shtoi se reagimi i forcave të policisë gjatë protestës reflektoi, sipas tij, frikën dhe panikun për humbjen e pushtetit.

“Edi Rama sot foli si të gjithë diktatorët që duan ta mbajnë pushtetin me dhunë. Qetësia dhe siguria e tij janë zhdukur nga frika dhe paniku. Edhe reagimi sadist i policisë mbrëmë kundër njerëzve të lirë, qytetarëve, deputetëve, të miturve, reflektoi frikën e Edi Ramës për humbjen e pushtetit. Edi Rama ka frikë. Frikë se njerëzit nuk heshtin më. Frikë se ata nuk tërhiqen. Frikë se opozita nuk zmbrapset. Është një aksiomë e pashkruar: kur pushteti fillon të veprojë me mllef, urrejtje dhe armiqësi ndaj kundërshtarëve politikë, ai po ndien fundin”, shprehet Bardhi, përcjell A2 CNN.

Ai theksoi se vendosmëria e qytetarëve dhe e opozitës nuk mund të shuhet përmes forcës dhe dhunës, teksa paralajmëroi vijimin e protestave.

“Por e siguroj Edi Ramën se vendosmëria e njerëzve të lirë dhe e opozitës nuk shuhet as me ujë me piper, as me gaz lotsjellës, as me shkopinj gome. Protestat do të vazhdojnë, sepse asgjë nuk e ndal dot më ndryshimin. Gazi lotsjellës, skafandrat e policisë, shkopinjtë e gomës, dhuna barbare e Edi Ramës nuk mund ta ndalin kohën. Koha e tij po mbaron”, theksoi kreu i grupit parlamentar demokrat.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos