Protestë te Bashkia e Durrësit, banorët e prekur nga projekti "TID" përplasen me këshilltarët dhe policinë

Nga Elitjona Doko
11 Shkurt 2026, 11:54 | Aktualitet

Edhe në Durrës banorët që preken nga projekti "TID Durrës", kanë protestuar përpara Bashkisë. Ata janë kundër trajtimit me qira pa arritur dakordësimin e shpronësimit të pronave të tyre. Gjatë protestës qytetarët u përplasën me këshilltarët dhe punonjësit e policisë, teksa këta të fundit kanë kryer dhe arrestime.

Banorët kërkuan fillimisht të hyjnë në mbledhjen e këshillit bashkiak për të ndalur nisjen e diskutimeve. Disa prej këshilltarëve që u paraqitën me vonesë, u penguan nga protestuesit të hynin në bashki, teksa nuk munguan as përplasjet fizike dhe ofendimet ndaj tyre.

Kërkesës së banorëve për të penguar këshilltarët të marrin pjesë në mbledhje, efektivët e policisë iu përgjigj me arrestime. Sipas bashkisë, është miratuar në parim vlera financiare e shpronësimit prej 867.776.164 lekë, për pasuritë pronë private, që preken nga ky investim publik.

Janë evidentuar 131 pronarë (privatë dhe shtet) për të cilët është caktuar vlera e shpronësimit. Projekti i rijetëzimit të bulevardit historik “Epidamn”, i njohur si TID Durrës, parashikon shpronësimin e 74 familjeve durrsake, i cili sipas zhvilluesve parashikon ta rikthejë qytetin e Durrësit në hartën Europiane të destinacioneve kulturore dhe historike, si dhe të ofrojë mundësi përfitimi ekonomik nëpërmjet trashëgimisë së pasur kulturore dhe historike të qytetit për komunitetet lokale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos