
Pas paketës së maleve, kryeministri Edi Rama ka prezantuar një tjetër nismë të qeverisë. Në podcastin e radhës, Rama bëri të ditur se programi “Dyfisho ndërmarrjen tënde”, që pritet të nisë së shpejti në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe bankat e nivelit të dytë, do të ofrojë kredi me interesa më të ulëta dhe garanci shtetërore për bizneset e vogla dhe të mesme, shkruan A2 CNN.
Sipas tij, ky program synon të mbështesë sipërmarrësit që kanë ngritur një aktivitet dhe kërkojnë ta zgjerojnë atë, duke përfshirë edhe start-up-et që duan të kalojnë në fazë prodhimi dhe fitimi.
“Një program i fuqishëm kreditimi me interesa më të arsyeshme sesa ato komerciale të bankave të nivelit të dytë dhe me garanci nga qeveria e Shqipërisë, po bëhet më në fund gati për t'i shërbyer të gjithë atyre shqiptarëve dhe shqiptareve që me kurajë, me vullnet, por edhe me largpamësi kanë zgjedhur të hapin rrugën përmes sipërmarrjes; kanë zgjedhur të krijojnë një biznes të vogël i cili tanimë është gati të rritet, por ka nevojë për mbështetjen financiare që përndryshe ata nuk mund ta sigurojnë dot. Kjo është një rrugë e re dhe së shpejti, të gjithë ata që kanë një ndërmarrje të vogël apo të mesme, të gjithë ata që kanë një pikë prodhimi, që duan ta dyfishojnë dhe ta rrisin, të gjithë ata që kanë një start-up dhe që duan ta transformojnë në një ndërmarrje prodhuese, fitimprurëse, do të kenë të hapur derën e programit “Dyfisho ndërmarrjen tënde””, u shpreh ai, pëcjell A2 CNN.
Duke u ndalur edhe tek “Paketa e Maleve”, Rama tha se kjo paketë po tërheq interes të madh, sidomos nga emigrantët shqiptarë, të cilët po shohin mundësi për të investuar në tokat dhe pronat e trashëguara.
“Një program kombëtar i cili ka filluar tanimë të formësohet përmes një numri mbresëlënës interesimesh dhe aplikimesh, në radhë të parë nga vëllezërit dhe motrat tona jashtë Shqipërisë, që falë këtij programi po e kthejnë kokën nga Shqipëria, jo thjesht për t'u interesuar siç kanë bërë gjithmonë për ecurinë e punëve apo për ecurinë e jetës në familjet e tyre, por për të investuar kursimet e tyre. Paketa e maleve! Paketa e maleve po hap një rrugë të re në zhvillimin rural dhe po krijon premisat për një vlerë të shtuar, për një motor të ri në industrinë e turizmit tonë, duke i dhënë maleve, duke i dhënë Shqipërisë malore një përmasë të re, përmes kthimit të tokës dhe të shtëpive të gjyshërve në instrumente të zhvillimit dhe në mundësi të reja reale për të krijuar sipërmarrje dhe për të krijuar të ardhura, pa diskutim, më të larta sesa ato që mund të krijohen duke punuar për të tjerët jashtë vendit. Procesi është bërë i thjeshtë, është bërë i aksesueshëm. Investimi mund të nisë pa titullin përfundimtar të pronësisë”, theksoi Rama.
Programi parashikon lehtësira fiskale, përfshirë përjashtimin nga taksat për 10 vitet e para për 500 aplikuesit e parë, si dhe mundësinë për të investuar edhe pa përfunduar procesin e titullit të pronësisë. Qëllimi është që zonat rurale të kthehen në burim zhvillimi ekonomik dhe turistik për vendin.
“Për këtë është krijuar paketa e maleve, për të adresuar edhe një problematikë të mbartur nga vitet në territore të mrekullueshme ku pronarët legjitimë nuk gëzojnë titujt e pronësisë sepse nuk e kanë pranuar ligjin 7501 dhe ndërkohë nuk kanë konflikte mes tyre. Dhe përmes investimit ata do të mund të sigurohen se në fund të procesit, ku do të kenë edhe lehtësira domethënëse fiskale, për shembull, 500 të parët që do të marrin lejen për të filluar punën do të përjashtohen për 10 vjet nga taksat, ata do të kenë edhe titullin e pronësisë. Kështu që, për të gjithë ata që më dëgjojnë dhe që janë të interesuar apo janë të dyzuar apo janë dyshues, provoni paketën e maleve. Provoni paketën e maleve! Provoni paketën e maleve dhe është pak, por e sigurt që në rast se do të hapni derën e shtëpisë së vjetër të gjyshit dhe do të rindizni oxhakun në atë shtëpi apo do të krijoni një fermë të vogël, një pikë agropërpunimi diku në një tokë që është larg territoreve të qyteteve, koha do të më japë të drejtë, do të na japë të drejtë dhe ju do të jeni të lumtur me atë hap që hidhni sot. Sepse investimi do t'ju kthehet në mbarësi dhe në mirësi për familjet tuaja, por në të njëjtën kohë do të jetë edhe një kontribut për Shqipërinë”. (A2 Televizion)