Pastrimi etnik i harruar, dita e gjenocidit ndaj çamëve, rrëfimi prekës i të mbijetuarit Sali Bollati: Ku t’i vendos lulet, nuk ka një varr

Nga A2 CNN
27 Qershor 2025, 08:44 | Aktualitet

Gazetarja e A2 CNN, Luela Myftari ka sjellë në Dita Jonë dëshminë prekëse të të mbijetuarit Sali Bollati, në ditën që përkujton masakrën e grekëve ndaj komunitetit çam.

Me lot në sy, i moshuari rrëfeu përjetimin e atyre ditëve të rënda ku humbi pjesën më të madhe të familjes së tij, mes të cilëve dhe motrat dhe vëllezërit e mitur, edhe përse nuk kishin bërë gjë, përveçëse ishin shqiptarë dhe çamë.

Sali Bollati, kujton shkollën ku u vra babai i tij, xhaminë ku iu ekzekutua nëna dhe kampin ku humbën jetën vëllai dhe motra si pasojë e mungesës së ushqimit. Ai tregon se u shpëtua nga trupat britanike të cilët e sollën në Shqipëri.

“Ne duhet të tregojmë qartë ato masakra, ato vrasje dhe lënie pa varre të njerëzve tanë të afërm në Çamëri. Unë isha 7 vjeç në atë kohë dhe nëna na zgjoi shpejt se do të iknim poshtë. E kishim shtëpinë në kodër të Parimithisë. Dëgjuam të shtëna dhe nëna na zbriti në shtëpinë e dajës pranë sahatit. Ne shkuam te daja. Atje kalon djali i xhaxhait të nënës dhe na thotë që grekët po na vrasin. Ai tha se kam shumë fëmijë dhe nuk mund t’i lejë vetëm. Erdhën zervistët dhe morën babanë pa këpucë dhe e cuan te shkolla dhe të nesërmen në mëngjes i vranë në oborr të shkollës.

Kur kam shkuar në Paramithi, vizitova shkollën dhe aty ishte mbuluar me beton. Ne u kthyem në shtëpinë tonë, por rrugës na thanë të kemi kujdes. Në oborr pamë gjyshin Muharrem Bullatin, të cilin e kishin zvarritur në banesë. Nuk kishim përse të rrinim dhe nëna na mblodhi te Medreseja dhe na foli për këtë gjë të keqe. Përpara grupit tonë ishte një ushtar zervistë që ishte gati të na vriste.

Edhe vëllanë e madh ma vranë rrugës teksa shkonte te shoku i tij. Nëna nxjerr një foto të babait dhe ma jep dhe më tha ta ruaj me kujdes. Pastaj më erdhi dhe njoftimi që më vranë nënën në mes të xhamisë.

Ne mbetëm 5 fëmijë jetime, na morën përpara policisë së Parimithisë bashkë me çamë të tjerë. Zybideja u bë nëna jonë e dytë. Ne nuk e dinim çfarë ishin masakrat, ishim fëmijë. Ortodoksët dhe myslimanët bashkëjetonin në atë kohë.

Sa na futën në kampin e përqendrimit, vinin shoqet e tetës dhe na sillnin ushqime. Aty humbi jetën gjyshja për shkak të urisë, motra e vogël 2 vjeç dhe vëllai. Dhe mbetëm 2 fëmijë. Pastaj erdhën ushtarët anglezë që na sollën ushqime, ilaçe. Anglezët na morën me makinë dhe na çuan në Igumenicë. Na veshën me rroba dhe më motovedeta erdhëm në Sarandë.

Erdhëm në Tiranë, mua më futën në Shtëpinë e Fëmijës dhe në 1952 më çuan në konviktin e shkollës së mesme në Shkodër. Aty mbarova shkollën dhe si nxënës i dalluar më nxorën që të shkoja jashtë shtetit dhe vajta në Çekosllovaki”, tha mes të tjerash Sali Bollati. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos