Ambasada Amerikane në Tiranë organizoi në Pallatin e Kongreseve pritjen e përvitshme për të festuar 249-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në prani të të ftuarve, e ngarkuara me punë Nancy VanHorn shprehu mirënjohjen për partneritetin me Shqipërinë, duke sjellë një histori të një dekade më parë të një ushtari shqiptar të vrarë në detyrë, ndërsa shërbente përkrah SHBA, i cili kishte lënë pas një vajzë të vogël: “Ky është vetëm një shembull i sakrificave të shumta që kanë bërë edhe shqiptarët për të mbrojtur liritë tona dhe për të ndërtuar një botë më paqësore. Jemi me fat të kemi aleatë si Shqipëria! Gjatë dy shekujve të fundit, udhëheqja amerikane ka shtruar rrugën për një botë më të lirë, më paqësore dhe më të begatë. Por, nuk mund ta bëjmë këtë të vetëm”.
Pasi kërkoi angazhimin e aleatëve në një moment të vështirë për të gjithë globin, ju kujtoi partnerëve të SHBA që të mbajnë premtimin për rritjen e investimeve në mbrojtje, shkruan A2.
“Tashmë, udhëheqësit tanë janë duke u kthyer në shtëpi nga Samiti i NATO-s, ku Aleatët u zotuan të investojnë 5 për qind të PBB-së së tyre çdo vit për kërkesat bazë të mbrojtjes. Ne po mbështetemi tek aleatët tanë që të bëjnë pjesën e tyre për të mbrojtur vlerat që të gjithë i çmojmë shumë”, tha VanHorn.
Në mungesë të Presidentit të Republikës, si rrallëherë fjalën në këtë festë e mbajti një ushtarak. Shefi i Shabit të Forcave të Armatosura, Arben Kingji, nënvizoi edhe një herë rolin e rëndësishëm të Amerikës në Shqipëri dhe rajon.
Në fund të fjalimeve, e ngarkuara me punë e SHBA, Nancy VanHorn, ngriti dolli për partneritetin SHBA-Shqipëri: “Gëzuar Ditën e Pavarësisë dhe faleminderit për partneritetin tuaj”. (A2 Televizion)