Ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta, do të vijojë të qëndrojë në qelitë e paraburgimit “313”. Gjykata e Posaçme refuzoi të enjten kërkesën e tij për zëvendësim të masës “arrest në burg” me një masë më të butë sigurie. Kërkesa e Metës u artikulua gjatë një seance për informacion 2-mujor, seancë periodike në të cilën prokuroria vë në dijeni gjykatën me veprimet hetimore të kryera.
Ish-presidenti ishte prezent në sallën e gjyqit të zhvilluar me dyer të mbyllura.
Në parashtrimin e tij në sallën e gjyqit, avokati ka pretenduar se klienti i tij nuk kishte dijeni mbi përdorimin e disa kartave kreditit nga ish-bashkëshortja dhe kur e kishte mësuar pas arrestimit kishte vendosur edhe për divorcin ligjor, duke e vlerësuar këtë si shkelje të rëndë të besimit, të ligjit për një politikaneje me përvojë, por edhe në dëm ta kauzave të tij politike.
Ilir Meta po hetohet nga SPAK për “korrupsion”, “pastrim të parave” dhe “fshehje e mos deklarim të pasurisë”. Për të njëjtën çështje, në masa më të buta sigurie po hetohen edhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi dhe dy persona të tjerë. (A2 Televizion)