Protesta e qytetarëve në Durrës nisi me arrestime. Disa kapsolla të hedhura në drejtim të Policisë u bën shkak që forcat Shqiponja të shoqërojnë një prej protestuesëve.
Megjithatë, ky episod nuk ndikoi te protesta dhe qytetarët durrsakë shprehën revoltën e tyre për përmbytjet që përjetuan në këtë fillimviti.
Sipas tyre, Durrësi përmbytet nga korrupsioni pasi autoritetet përgjegjëse të kanalizimeve nuk kanë kryer detyrën e tyre për lirimin e kanaleve kulluese.
Në protestën e qytetarëve durrsakë pati edhe përfaqësues të partive opozitare në vend, të cilët denoncuan shantazhet që po u bëhen të përmbyturve për të mos reaguar.
Prokuroria e Durrësit ka nisur edhe një hetim për 3 vepra penale’; “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me përmbytje” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, pas rastit të rëndë kur Astrit Hysenaj, 54 vjeç, punëtor i pastrimit në Bashkinë e Durrësit, u gjet i pajetë nga policia të enjten e 8 janarit në një kanal kullues, në zonën e ish-repartit ushtarak pranë Plepave. (A2 Televizion)