Pezullohet procesi mësimor, pjesa më e madhe e Durrësit dhjetëra centimetra nën ujë

Nga Gazmend Janku dhe Elitjona Doko
6 Janar 2026, 15:18 | Aktualitet

Lëvizja me kanoe ishte e vetmja mënyrë për qytetarët durrsakë që të lëviznin në rrugët e përmbytura të qytetit. Ashtu si në shumë raste të mëparshme edhe kësaj radhe, Durrësi është kthyer në një Venecia në pjesën më të madhe të qytetit.

Përveç vështirësisë së lëvizjes edhe të mjeteve, shumë autovetura kanë mbetur të bllokuara për shkak të nivelit të lartë të ujit. Më problematike ka qenë zona e ish-Kënetës ku kanë nisur edhe evakuimet e familjeve që uji u ka depërtuar në banesa.

Përmbytjes nuk i shpëtoi as burgu i Durrësit, ku personeli u detyrua të evakuojë të burgosurit e katit të parë në katin e dytë. Veliera si në çdo përmbytje rikthehet në një basen ujëmbledhës.

Sakaq më herët është urdhëruar pezullimi i mësimit që nga çerdhet e deri në universitetin e Durrësit, për shkak të pamundësisë për të kaluar rrugët dhe oborret e shkollave.

Rreth mesditës në zonat më problematike të Durrësit ku uji ka depërtuar në banesa kanë mbërriture edhe forcat e ushtrisë, të cilat kanë prioritet evakuimin e banorëve.

Situata do të vijojë të mbetet problematike pasi shërbimi meteorologjik parashikon vijim të reshjeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos