Kryeministri Edi Rama njoftoi se në kaskadën e Drinit, si pasojë e rritjes së prurjeve, kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës.
Sipas Ramës, aktualisht po shkarkohet një sasi prej 700 m³/sekondë, përveç prodhimit, shkarkime këto të monitoruara dhe të menaxhuara nga specialistët e hidrocentraleve.
“Bashkia Shkodër është në koordinim të vazhdueshëm me KESH për menaxhimin e situatës dhe minimizimin e çdo rreziku të mundshëm për zonat e territorit të bashkisë, ndërsa deri në këto momente nuk është evidentuar asnjë problematikë”, shkroi kryeministri në Facebook.
I gjithë vendi është përfshirë të martën nga reshjet e dendura. Si pasojë janë raportuar përmbytje në Durrës e Lezhë, ndërsa në Qarkun Kukës ka pasur edhe rrëshqitje gurësh e inertesh në rrugë. Aksi Tiranë-Durrës është bllokuar nga uji dhe si pasojë kalimi është devijuar.
Policia thotë se për të shmangur trafikun dhe aksidentet, automjetet që vijnë nga jugu në drejtim të Tiranës, të qarkullojnë nga Rruga e Plepave për në Ndroq dhe nga rruga “Rrogozhinë–Elbasan–Tiranë”. Për në Durrës, kalimi do të bëhet nga rruga e universitetit, në drejtim të Spitallës dhe në rrugën “Tiranë–Elbasan–Rrogozhinë”.
(A2 Televizion)