“Po pastroja oxhakun”, fermerja rrëfen se si flakët i përpinë shtëpinë në Ersekë

Nga A2 CNN
24 Tetor 2025, 08:46 | Aktualitet

Fermerja Jonida Hëna, së cilës iu shkrumbua shtëpia një ditë më parë në Ersekë rrëfeu në Dita Jonë në A2 CNN sesi ndodhi që flakët i përpinë banesën. Mes emocioneve, por edhe ndjenjës së fajit, ajo tregoi se ishte duke pastruar oxhakun kur tymi dhe flakët u përhapën në banesë dhe pavarësisht ndihmës së punëtorëve dhe zjarrfikësve gjithçka u shkrumbua.

“Ishte aksidentale, unë isha duke djegur oxhakun, diku mori ajër, mori zjarr bloza ishte diçka shumë e shpejtë. Isha vetëm në shtëpi, thirra punëtorët por ishte goxha vonë. Nuk po e kuptoja se filloi të nxirrte tym dhe nuk po merrja vesh nga po vinte tymi, dhe kur dolën flakët nga të katër anët ishte e pamundur të rrije brenda”.

Fermerja rrëfeu në A2 CNN përjetimin pas djegies së shtëpisë, ndjenjën e fajit dhe tha se i kërkoi falje bashkëshortit. Bashkë me shtëpinë ajo tha se humbi edhe kujtimet, kursimet e vajzave dhe zahiretë e dimrit, ndërsa meraku më i madh i saj janë punëtorët dhe bagëtitë.

“I kam kërkuar falje burrit; duhet të më falësh se u dogj shtëpia. E ndjej veten shumë fajtore, unë thirra zjarrfikësen dhe doja të futesha në shtëpi nuk më lanë punëtorët dhe nuk u futa dhe kam humbur çdo gjë. E ndjej veten fajtore. Toni është i mrekullueshëm më tha kurajo. Një pjesë e shtëpisë ishte magazinë kisha bërë shumë zahire, dhe ishte një vit shumë i mbarë dhe isha  shumë e kënaqur ishte viti që kishim larë gjithë borxhet dhe kisha menduar të ndërronim tavolinat. Bëmë një kënd lojërash për fëmijë. Ishim të lehtësuar dhe erdhi momenti të ndryshonim. Meraku i madh është biznesi, punëtorët dhe bagëtitë. Vajzat kishin punuar vetë, kishin ca lekë të vetat, Sara kishte uniformën e kalërimit dhe i erdhi shumë keq kur u dogj ajo, foto, kampingu më erdhi shumë keq që u dogj se kishim shumë çadra dhe organizonim kampingje ku donin turistët”, tha Hëna në A2 CNN.

Për këtë arsye ajo tha se vendosi vetë që të hapë një Go Found dhe ishte surprizuar nga mbështetja e madhe e njerëzve.

“Ndihem fajtore dhe vendosa vetë që të hap një Go Found, por do të mundohem të rikuperoj diçka nga ky dëm që i kam shkaktuar familjes. Që të ishte kjo mbështetje ka qenë një super surprizë për ne. Pas kësaj më thoshin njerëzit se më mirë do bëhet. Këta njerëz më kanë bërë të rilind, ta shikoj botën ndryshe. Nuk mund ta përshkruaj sesa e lumtur jam. Zemra ime është e mbushur me dashuri pa fund. Kur të ndërtohet ajo shtëpi, do jetë hyjnore se është ndërtuar me dashurinë e njerëzve”.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos