
Nga ura e vjetër e Mifolit ku ndodhej për një inspektim të situatës, prefektja e qarkut të Vlorës, Evis Allushi foli për situatën e reshjeve në këtë qark. Sipas saj më problematike situata paraqitet në bashkinë e Finiqit dhe të Delvinës, për shkak të daljes nga shtrati të lumit të Kalasës, i cili ka shkaktuar përmbytje në disa akse, raporton A2 CNN.
“Bashkia Finiq dhe e Delvinës kanë patur problematika. Reshjet e shiut kanë qenë me intensitet mesatar deri të lartë. Kemi pasur problem në akset rrugore, kemi pasur dalje të lumit të Kalasës. Bllokimi në këto dy bashki ka ndodhur edhe si pasojë e inerteve prezentë në rrugë. Në gatishmëri janë strukturat për të marrë masat, për t’u ardhur në ndihmë banorëve të atyre zonave”.
Sipas prefektes Allushi në lumin Vjosë situata momentale është e qetë, po kështu edhe në bashkinë Vlorë.
“Gjatë gjithë ditës së djeshme dhe sot kemi qenë në terren bashkia paraqitet e qetë nuk ka problematike në akset rrugore dhe pikat nevralgjike të qytetit. Situata paraqitet e qetë. Niveli i Vjosës është 5 metra, nuk krijon probleme. Por jemi në monitorim dhe kontakte me të gjitha pikat nëse do të këtë probleme apo përkeqësim të situatës”, deklaroi Allushi, përcjell A2 CNN.
Sipas informacioneve më të fundit në bashkinë Delvinë deri tani rrugët janë të bllokuara nga prurjet. Për këtë punohet me tre skrepa për t’i sjellë në normalitet. Rrugët më problematike në qytet u hapën. Ndërkohë është e pakalueshme rruga për në Lefterohor, Kakodhiq dhe Varfaj, ku edhe atje punohet për hapjen e saj.
Rruga Fushvëri -Kalasë kalohet me shumë vështirësi, ku rrezikohet nga përroi i Gutinës, pasi ka dalë nga shtrati dhe rrezikon të prishë rrugën në rreth 1 km. Lumi i Kalasës ka dalë nga shtrati dhe ka filluar dhe gërryen fushat e fshatrave Kalasë, Fushvërri, Vergo, Kopaçez, Palavli, Bajkaj, Vanë dhe Blerimas.
Problem shqetësues është edhe lumi i Vrizit në Delvinë, ku ka filluar dhe gërryen fushat e Bamatatit, Stjarit dhe ka prishur rrugën Stjar- Bajkaj.
Në Delvinë 3 shtëpi janë përmbytur dhe për rrjedhojë është bërë evakuimi i banorëve. Bashkia në punë në shërbim të komunitetit. (A2 Televizion)
