
Masa të shtuara sigurie janë marrë para godinës së Kryeministrisë në Tiranë, në pritje të protestës kombëtare të paralajmëruar për 28 Nëntorin.
Gazetari Armand Bajrami raporton se në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” janë dislokuar dhjetëra efektivë të policisë, forca të Ndërhyrjes së Shpejtë, dy autobotë me ujë me presion dhe mjete zjarrfikëse. Këto të fundit janë vendosur pranë hyrjeve të Kryeministrisë, me tubacionet në gatishmëri për të ndërhyrë në rast të incidenteve apo përdorimit të mjeteve piroteknike gjatë protestës.
Vëmendje kanë tërhequr edhe autobotët e policisë të mbuluar me flamurin kuqezi. Sipas gazetarit, kjo mund të jetë një mënyrë simbolike për festën e Pavarësisë, por edhe një përpjekje për t'i bërë automjetet më pak të ekspozuara ndaj goditjeve të mundshme gjatë protestës.
Deri në orën 10:30, në zonën përpara Kryeministrisë nuk kishte grumbullime protestuesish dhe qarkullimi në bulevard vijonte normalisht. (A2 Televizion)