Kryeministri Rama zgjodhi të mos heshte përballë debatit për masat e marra për luftimin e zjarreve. Në një reagim në rrjetet sociale, ai iu përgjigj akuzave se përse Shqipëria nuk ka avion për shuarjen e zjarreve, duke u shprehur se pasja e kësaj lloj logjistike nuk do të thotë zgjidhje absolute e problematikës.
“Ka shpërthyer një debat pse nuk blen Shqipëria avionë zjarrfikës. Sa më shumë aq më mirë, pa diskutim, por prapëseprapë kurimi i pasojave nuk i eliminon shkaqet, të cilat janë disa dhe janë njësoj për të gjithë shtetet që po i vuajnë zjarret këtë sezon (disa shumë më keq se ne, meqë ra fjala) dhe janë shumë më komplekse se sa duken kur numëron avionët”, tha Rama.
Si argument, kreu i qeverisë përmendi situatën në Greqi, vend i cili, sipas tij, ka më shumë avionë dhe helikopterë se Shqipëria, por sërish po përballet me pasoja të mëdha nga zjarret, shkruan A2 CNN.
“Po fqinjët tanë, Greqia dhe Italia apo Turqia dhe Spanja, që po përcëllohen më keq se çdo vit tjetër, kanë vallë mungesë avionësh?! Ja një informacion bazuar në referencat e vetë shtypit grek për Greqinë: Greqia ka një flotë ajrore totale prej 77 avionësh zjarrfikës; helikopterë janë pak a shumë 20; automjete të tjera afërsisht 3,500 dhe zjarrfikëse të të gjitha llojeve e funksioneve”, u shpreh Rama.
Aktualisht, beteja nga ajri po vijon me helikopterët shqiptarë, si edhe me avionët “Canadair” që kanë ardhur në ndihmë nga Kroacia dhe Çekia. (A2 Televizion)