
Në Mbrakull të Poliçanit u rikthye energjia elektrike, pas dëmtimit të linjës së tensionit të mesëm nga zjarri.
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes bëri të ditur sot se "punonjësit e Drejtorisë Rajonale OSSH Berat pavarësisht kushteve me temperatura të larta 42 gradë, përfunduan në kohë punën duke rikthyer energjinë elektrike në të gjithë zonën”, shkruan A2.
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes theksoi se “jemi në gatishmëri të plotë në të gjithë vendin, për të minimizuar sadopak problemet që mund të shfaqen në rrjetin elektrik, në kushtet kur zjarret dhe rritja e konsumit mund të pengojnë ecurinë normale të furnizimit me energji elektrike”.
Zona e Poliçanit u përfshi dje nga flakët ndërsa forcat zjarrfikëse punuan për izolimin e vatrës. (A2 Televizion)