Ministria e Arsimit dhe Sportit ka reaguar pas publikimit në rrjete sociale të tezës së provimit të gjuhës së huaj të Maturës Shtetërore 2025, duke theksuar se ky akt është kryer pas nisjes së testimit dhe nuk ndikon në integritetin apo mbarëvajtjen e procesit.
Sipas Ministrisë, provimi i parë i maturës, ai i gjuhës së huaj, po zhvillohet në kushte të plota sigurie dhe transparence, në përputhje me rregulloren në fuqi dhe standardet më të larta të testimit. Rreth 27 mijë maturantë në të gjithë Shqipërinë janë duke iu nënshtruar këtij procesi të rëndësishëm.
“Publikimi i tezës pasi ka nisur provimi është një akt i dënueshëm, por nuk cenon procesin dhe nuk mund të zbehë përkushtimin e mijëra mësuesve, administratorëve dhe punonjësve të strukturave arsimore në të gjithë vendin”, thuhet në reagimin e MAS.
Ministria po ashtu dënon me forcë çdo tentativë për të dëmtuar besueshmërinë e Maturës Shtetërore dhe paralajmëron se do të trajtojë me rigorozitet çdo shkelje, në përputhje me rregulloret në fuqi.
Gjithashtu, MAS garanton se janë marrë të gjitha masat për zhvillimin e një procesi të drejtë dhe të ndershëm: nga hartimi profesional i testeve dhe përgatitja e personelit administrativ, te masat mbështetëse për nxënësit si konsultimet në shkolla, testet model dhe ndihma psikologjike për përballimin e stresit.
“Vazhdimisht kemi përforcuar edhe elementët teknikë të kontrollit si kamerat e sigurisë dhe rregullat e hyrje-daljeve, për të krijuar një ambient të qetë dhe të përshtatshëm për çdo maturant”, nënvizon Ministria.
Në përfundim, Ministria e Arsimit thekson se prioritet mbetet suksesi i çdo maturanti dhe garantimi i zhvillimit të provimeve në kushte të barabarta për të gjithë. (A2 Televizion)