10 hektarë pyje në flakë në Darzezë, ndërhyrje nga ajri me helikopterin Cougar

Nga A2 CNN
2 Qershor 2025, 20:21 | Aktualitet

Një vatër masive zjarri është riaktivizuar mesditën e sotme në pyllin e Darëzezës, në fshatin Darëzezë e Re, njësia administrative Dërmenas, vetëm një ditë pasi ishte raportuar se ishte shuar plotësisht.

Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes, rreth 10 hektarë pyll dhe bimësi e dendur janë përfshirë ng a flakët. Në vendngjarje ndodhen 7 automjete zjarrfikëse me 40 efektivë të MZSH-së, një buldozer dhe një fadromë. Për shkak të terrenit ranor, erës së fortë dhe përmasave të mëdha të zjarrit, ndërhyrja në zonë është tejet e vështirë dhe situata nuk është vënë ende nën kontroll.

Për të ndihmuar operacionet nga toka, është angazhuar edhe një helikopter Cougar për ndërhyrje ajrore, në koordinim me Qendrën e Bashkuar Operacionale.

Në përpjekjet për të izoluar flakët janë përfshirë forcat zjarrfikëse nga Fieri, Patosi dhe Roskoveci, si dhe punonjës të pyjores e banorë të zonës. Bashkia Fier ka vënë në dispozicion një traktor me zinxhir për hapjen e korridoreve emergjente në brendësi të masivit pyjor.

Ndërkohë, një tjetër vatër aktive është shfaqur në kodrat me ullishte të Zhupanit, në zonën e njohur si “Takodrom”. Flakët, të përhapura me shpejtësi, kanë rrezikuar masivet me ullinj, megjithëse nuk përbëjnë rrezik të menjëhershëm për banesat. Për shkak të terrenit të thyer, ndërhyrja është e kufizuar, ndërsa dy mjete zjarrfikëse ndodhen në gatishmëri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos