Publikohet lista përfundimtare e zgjedhësve për 11 majin

Nga A2 CNN
2 Prill 2025, 15:45 | Aktualitet

Publikohet lista përfundimtare e zgjedhësve për 11 majin

Ministria e Brendshme ka publikuar listën përfundimtare të zgjedhësve për zgjedhjet për Kuvendin, datë 11 Maj 2025, për votuesit brenda vendit. Nga të dhënat e gjeneruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile të drejtën e votës e kanë 3,713,761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit, ndër ta:

- 114,642 zgjedhës votojnë për herë të parë;

- 1,081 shtetas të papërfshirë, për shkak të dekriminalizimit;

- 5,225 është numri i qendrave të votimit.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme, procesi i hartimit të listës përfundimtare të zgjedhësve është kryer nën mbikëqyrjen e auditëve të KQZ-së, duke kaluar në disa faza në zbatim të dekretit të Presidentit, përmes publikimeve të 3 ekstrakteve të përbërësve zgjedhore.

Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare në vend, listat zgjedhore përfshijnë dy kategori:

– Zgjedhësit që jetojnë brenda vendit;

– Zgjedhësit që jetojnë jashtë vendit.

"Lista përfundimtare përmbyll procesin e hartimit dhe shpalljes së Listës së Zgjedhësve. DPGJC në çdo bashki vijon të përmbushë detyrimet mbi përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore. Ndërkohë qytetarët mund të aplikojnë apo rinovojnë Letërnjoftimet elektronike të skaduara, si një nga 2 dokumentet biometrike, që përdoren për identifikimin e votuesve në zgjedhjet e 11 majit.

Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe kompania shtetërore e prodhimit të dokumenteve të identitetit “IdentiTek”  mbeten të angazhuara në përmbushje të standardeve më të larta, të këtij procesi të rëndësishëm", njofton Ministria. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos