Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për qarkun Tiranë, Fation Pasholli ka dhënë dorëheqjen. Kërkesa për t’u liruar nga kjo detyrë është paraqitur më 4 prill, pak ditë pak ditë pas publikimit të rasteve të mishit me salmonelë nga Brazili dhe luleshtrydheve me pesticide nga Greqia. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka urdhëruar për ndërprerjen e punës me Pashollin të hënën e 7 prillit.
“Unë jam larguar për arsye personale dhe për shkak se e vërteta nuk është kjo që pasqyrohet. Është e vërtetë se sasia e mishit nuk duhej të kishte dalë në treg. Unë kam drejtuar një institucion me 40 punonjës për 5 bashki”, tha Fation Pasholli për A2CNN.
Teksa e konsideroi si “marrje të përgjegjësisë morale dhe jo juridike”, ish drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Tiranë tregon edhe mbi hallkën që nuk funksionoi siç duhet në lejimin e futjes në treg të pulave me salmonelë nga Brazili.
“Në momentin që merret një mostrim për salomenelë nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, brenda 3-4 ditëve maksimalisht duhej të ishte njoftuar subjekti importues dhe asnjë kilogram mish nuk do të kishte dalë në treg. Arsyet se pse kjo sasi nuk u ndalua, por doli në shitje, kjo mbetet për tu hulumtuar”, deklaroi Fation Pasholli për A2CNN.
Në vend të Fation Pashollit është propozuar për t’u komanduar Alketa Hoxha. Kjo e fundit ka mbajtur postin e drejtores juridike në AKU e Përgjithshme. A2CNN mëson ndërkohë edhe se Olsi Komici që mbante detyrën e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit prej 29 janarit është shkarkuar nga kjo detyrë me vendim të Këshillit të Ministrave para tre javëve. Në vend të Komicit është komanduar Manush Kullolli.
Kjo pasi Komici është angazhuar në zgjedhjet e 11 majit si kandidat i PS për Deputet në qarkun e Elbasanit. (A2 Televizion)