Rekordet e Guinness tanimë kanë filluar të bëhen të zakonshme për Arbnora Fejzën.
Sallat sportive, janë të destinuara për gara, por në rastin e Arbnorës, rezultati është i qartë që në fillim, pasi ajo nuk konsideron alternativë tjetër përveç thyerjes së rekordit të radhës, atë me simbolin shpirtëror të shqiptarëve, flamurin kuqezi.
Pikërisht është Arbnora Fejza që me veprat e saj artistike ka bërë që komisioni i Librit të "Guinness", një “kompeticion” më përmasa botërore për të disatën herë zbret në Drenicë.
Edhe këtë vit me flamurin kombëtar të punuar në mënyrë unike, drenicasja synon ta thyejë rekordin e radhës për t'i dhënë edhe më shumë kuptim festës së 111-vjetorit të Pavarësisë së shteti shqiptar dhe ditëlindjes së Heroit të Kombit, komandantit legjendar, Adem Jashari.
Pra Marigoja, qëndistarja e flamurit kuqezi, këtë vit në Kosovë dhe pikërisht në Skënderaj do të na vijë në një dimension të veçantë dhe madhështor.
Mozaiku i flamurit kombëtar më përmasa 1300.4 m, është gara jetike e saj, kurse inspirimi është dashuria që ka për çdo milimetër të këtij simboli, si dhe flijimi titanik i përmasave botërore nga heroi kombëtar, Adem Jashari, së bashku me familjen.
Në fund, urojmë që bashkë më flamurin kuqezi, rekordmenia e Drenicës të sjellë edhe çmimin e katërt në Kosovë për rekorde në librin e "Guinness". (A2 Televizion)