
Lezha u zgjua këtë të martë nën reshje shiu me intensitet të lartë, të cilat shkaktuan përmbytje të përkohshme dhe problematika në disa zona të qytetit dhe rrethinat.
Në lagjet “Besëlidhja” dhe “11 Janari” u regjistrua prezencë uji për rreth 20 minuta, ndërsa në oborret e shkollave “Gjergj Fishta” dhe “Kosova” procesi mësimor u ndërpre përkohësisht.
Prurjet e shumta në lumin Drin dhe Gjadër kanë çuar në rritjen e kuotave mbi nivelet maksimale, duke shkaktuar përmbytje në një pjesë të shëtitores “Skënderbeg” dhe në fushat e Zadrimës, Balldrenit, Kallmetit, Zejmenit dhe Shënkollit.
Probleme janë shënuar edhe me energjinë elektrike në Shënkoll, ndërsa situata mbetet në monitorim nga strukturat e Emergjencave Civile. (A2 Televizion)