Rritet çmimi i biletës për transportin urban në dy linja në kryeqytet

Nga Marjo Brakaj
31 Tetor 2025, 14:08 | Aktualitet

Rritet çmimi i biletës për transportin urban në dy linja

Nga 1 nëntori qytetarët që përdorin dy nga 8 linjat urbane të Bashkisë Kamëz, konkretisht Kamëz–Tiranë dhe Paskuqan–Tiranë do të paguajnë 50 lekë për biletë, nga 40 lekë që është aktualisht. Bileta do të rritet 10 lekë apo 25% nga sa paguhet.

Kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Ndërqytetës, Dashnor Memaj tha se vendimi është miratuar në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Kamzës, pas kërkesës së operatorit privat të licencuar që menaxhon shërbimin e dy linjave dhe nis zbatimin nga 1 Nëntori.

Memaj thotë se rritja e çmimit ishte e domosdoshme për të përballuar shtimin e kostove të mirëmbajtjes dhe të karburantit, në mungesë të subvencioneve shtetërore, shkruan A2 CNN.

Në të njëjtën mbledhje, Këshilli Bashkiak miratoi edhe rritjen e abonesë mujore për këto linja, nga 1,200 lekë në 1,400 lekë, një rritje prej 200 lekësh ose rreth 17% (nga ndryshimet nuk preket çmimi i abonesë së përgjithshme, por ndryshon vetëm për këto 2 linja).

Për bashkinë e Kamzës funksionojnë rreth 8 linja urbane, të cilat menaxhohen nga operatorët privatë të licencuar në mungesë të subvencioneve shtetërore.

Ndërsa për bashkinë e Tiranës funksionojnë 16 linja urbane, shërbim që menaxhohet nga 12 operatorë privatë të licencuar, por të cilët subvencionohen nga Bashkia e Tiranës për abonetë mujore të pensionistëve dhe të studentëve dhe 10 lekë për çdo biletë të shitur. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos