"Dumani po fshin njollën e zezë të drejtësisë”, xhaxhai i Aleks Nikës: Thirrja e Bashës në SPAK na jep shpresë

Nga A2 CNN
30 Tetor 2025, 20:36 | Aktualitet

“Nuk kërkojmë mëshirë, por drejtësi ligjore! Politika të qëndrojë larg”. Këtë mesazh përcolli në studion e “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, protestuesit të vrarë në bulevardin Dëshmorët e Kombit më 21 janar 2011.

14 vite pas kësaj ngjarje të rëndë, ku mbetën të vrarë 4 protestues të opozitës së asaj kohe, SPAK thirri këtë të enjte ish-ministrin e Brendshëm të kohës Lulzim Basha, i cili u pyet për gati dy orë nga prokurorët.

Ky veprim i SPAK për familjarët e Aleks Nikës jep shpresë për drejtësi. Në A2 CNN, xhaxhai i tij theksoi se për këtë çështje ka pasur presion nga politika, por prokurorët sipas tij kanë kryer veprime që askush nuk mund t’i fshijë.

“Ne përshëndesin SPAK veçanërisht kryetarin dhe prokurorin e çështjes që kanë bërë një punë të lavdërueshme në hetimin e çështjes. SPAK i vuri zemër drejtësisë. Ne nuk kemi kërkuar mëshirë, por vetëm drejtësi dhe politika të jetë larg hetimit të kësaj çështje. Kemi informacione se ka trysni akoma për ta zhbërë hetimin e 21 janarit. Por prokurorët e çështjes kanë kryer veprime që nuk është në gjendje politika dhe askush t’i fshijë. Koha na dha të drejtë Strasburgu ishte në favorin tonë. të vrasësh njerëz pa faj në bulevard vrasja e Aleksit na ka dëmtuar shumë, sepse  fëmijët e tij po rritën jetimë për shkak të krimit shtetëror të qeverisë së kohës. Sot thirrja e Bashës na jep shpresë se hetimi do të shkojë deri në fund. Se çfarë ka deklaruar nuk e dimë, por jam i bindur se ai ka dijeni të plotë si është organizuar ky krim shtetëror. Shpjegimet e tij do të kontribuojnë në hetimin e çështjes”.

Duke shprehur vlerësime për kryeprokurorin Altin Dumani, të cilin konfirmoi në A2 CNN se a ka takuar personalisht, Nika theksoi se ai po fshin njollën e zezë të drejtësisë shqiptare.

“Dumani bashkë me ekipin e shoh të jetë në zemër të drejtësisë dhe po i fshin njollën e zezë drejtësisë shqiptare. Ne nuk humbim shpresën dhe besimin e kemi te SPAK e drejtësia e re dhe mendoj që shumë shpejt prokuroria do ta përfundojë çështjen dhe do konkludojë për fajësinë e atyre që kanë përgjegjësi për vrasjen e Aleksit dhe shokëve të tij. Kërkojmë që çështja të hetohet sa më shpejt”.

Ai tregoi për dhimbjen e familjarëve jo vetëm nga humbja e Aleks Nikës, por edhe nga mungesa e drejtësisë në këto vite.

“Ne e vuajmë si familje veçanërisht prindërit e Aleksit presin çdo ditë që drejtësia të vihet në vend. Fajtorët të dënohen siç e meritojnë dhe ne me siguri do na lehtësojë dhimbjen se Aleksi nuk na kthehet më. Nuk kërkojmë mëshirë, por drejtësi ligjore. Është plagë e hapur që kërkon vetëm të vërtetën”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos