Thirrjen e Lulzim Bashës në SPAK si person në dijeni rreth çështjes së “21 Janarit”, pasi ka mbajtur postin e ministrit të Brendshëm në kohën kur ndodhi ngjarja, xhaxhai i një prej viktimave, Aleks Nikës, e sheh si të frytshme për drejtësinë.
Mark Nikaj e përshëndeti thirrjen e Bashës nga Prokuroria e Posaçme, duke thënë në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN se me këtë veprim SPAK-u tregoi se synon ti shkojë deri në fund hetimeve për çështjen.
“Ne përshëndesim SPAK-un, veçanërisht kryetarin dhe prokurorin e çështjes, të cilët kanë bërë sipas nesh një punë të lavdërueshme në hetimin e shpejtë të çështjes. Së paku i vuri zemër i drejtësisë. Ne nuk kemi kërkuar asnjëherë mëshirë, por vetëm drejtësi ligjore. Ne kërkojmë vetëm drejtësi dhe kërkojmë që politika të jetë larg hetimit të kësaj çështjeje. Pasi kemi informacione se ka trysni akoma për ta zhbërë këtë hetimin e 21 janarit, por prokurorët e çështjes kanë kryer ato veprime që nuk gjen vend politika dhe askush t'i fshihet. Koha ne na dha të drejtë. Strasburgu ishte në favorin tonë për shkak se ishte një krim shtetëror shumë i rrezikshëm ku të vrasësh njerëz në bulevard pa faj në kundërshtim me çdo normë ligjore dhe morale. Vrasja e Aleksit na ka dëmtuar shumë sepse fëmijët e tij po rriten jetimë për shkak të krimit shtetëror që ka kryer qeveria e kohës. Sot thirrja e Bashës na jep një shpresë sepse hetimi besoj se do shkojë deri në fund. Se çfarë është pyetur dhe si për çka ka deklaruar ne nuk e dimë por jam i bindur se ai ka dijeni të plotë si është organizuar ky krim shtetëror dhe shpjegimet e tij do të kontribuojnë në hetimin e plotë të çështjes. Nuk e di a ka, a s'ka përgjegjësi. Këtë e përcakton drejtësia dhe ne nuk kemi nevojë të kërkojmë mëshirë, por vetëm mbështetjen nga SPAK, nga drejtësia”, tha Mark Nikaj në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN. (A2 Televizion)
 
                                           
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                   
 
						                    
						                    
						                   