"21 janari gjakoi bulevardin", Aulon Kalaja: Ngjarja më e zezë e historisë, xhaxhait të Aleks Nikës i dhashë pamjet

Nga A2 CNN
30 Tetor 2025, 20:51 | Aktualitet

Gazetari Aulon Kalaja e ka cilësuar 21 janarin si ngjarjen më të zezë të historisë së demokracisë shqiptare, teksa komentonte në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN, thirrjen në SPAK të ish-kreut të PD, Lulzim Basha.

“Të jemi realist, është një ngjarje që ka gjakuar bulevardin. Domethënë që nga viti pas masakrës së 2 prillit, pa diskutim kjo është ngjarja më e zezë. Unë kam marrë pjesë në protesta, kam organizuar protesta dhe standardi i protestave të gjakohet bulevardi, e kam shprehur dhe atëherë, kam qenë gazetar për një televizion tjetër. Normalisht është ngjarje shumë e rëndë. Unë nuk besoj që duhet të vendoset drejtësi tani. Ka 15 vjet që drejtësia duhet të kishte folur për këtë çështje”, tha Kalaja në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.

Në vijim ai shtoi se e ka takuar xhaxhain e Aleks Nikës dhe atij i ka dorëzuar pamjet e protestës dhe momentin e të shtënave në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

“Atë zotërinë që ti kishe në lidhje direkte. Unë i kam dhënë pamjet kur kam punuar te televizioni Ora atëherë, për të ndjerin. Zoti Mark po më ka ardhur. I kam marrë nga arkiva dhe ja kam dhënë sepse interesohej për këtë çështje. Nga ana tjetër pa diskutim që ka folur Strasburgu. Strasburgu është gjykata më e rëndësishme, pa diskutim, ka thënë që të hetohet dhe të ndëshkohet i gjithë zinxhiri komandues që ka kryer këtë ngjarje”, u shpreh Kalaja më tej në  “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.

Por sipas gazetari ka dhe një anë tjetër të protestës së 21 Janarit për të cilën duhet të flitet, ku Kalaja bën me faj Partinë Socialiste, asokohe në opozitë për mënyrën si e organizoi tubimin, të prirur drejt dhunës dhe shkatërrimit të institucioneve.

"Por nga ana tjetër ka pasur një organizim të dhunshëm në datë 21 janar. Unë kam qenë dijeni se si Partia Socialiste ka hedhur shumë para për atë protestë edhe ka paguar autobusë nga të gjitha anët e Shqipërisë. Njerëz të cilët nuk kanë qenë thjesht protestues, por kanë qenë njerëz që paguhen në çdo protestë. Kanë qenë njerëzit më problematikë të qyteteve të caktuara, të cilët kanë qenë të rekrutuar për këtë protestë. Mund të ketë kushtuar diku te 300.000 euro. Mirë ajo lloj proteste që është zhvilluar më 21 janar, sepse janë marrë gjithë njerëzit që kanë qenë problematikë nëpër protesta dhe u janë dhënë hunj, pra kanë qenë të pajisur me hunj dhe me sende të tjera. Dhe nuk ka qenë protestë, ka qenë demonstratë. Dallimi midis protestës dhe demonstratës është shumë i madh. Pra, demonstratë do të thotë të demonstrosh dhunë. Dhe ka qenë një protestë me skenar, e cila ne e kemi parë disa ditë më përpara se si shprehej lideri i opozitës së asaj kohe sot kryeministri Edi Rama se çfarë do përfaqësonte kjo lloj proteste”, deklaroi Kalaja më tej në  “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos