
Isa Boletini dhe Ismail Qemali bashkohen edhe në Nju Jork, sepse një rrugë do të marrë emrin e luftëtarit simbol të trimërisë dhe përpjekjeve të shqiptarëve për liri e shtetformim. Lajmin e dha në Ditarin me Pandi Gjatën në A2 CNN nipi i tij Gazmend Boletini, i cili solli edhe dëshmi të kohës për këtë figurë të Pavarësisë.
“Pasnesër në State island në New York një rrugë në do të quhet Isa Boletini, do të jetë përballë rrugës Ismail Qemali”.
Duke theksuar se shumë personalitetete të kohës kishin shkruar për Isa Boletinin jo vetëm si luftëtar, por edhe si vizionar largpamës e mendjemprehtësinë, trashëgimtari i tij tregoi për herë të parë në A2 CNN se disa shënime e dëshmi vërtetojnë që ai nuk ka munguar në shpalljen ne Pavarësisë në vlorë.
“Në çdo pjesë të Ballkanit ka shënime për këtë figurë të kombit tonë. Isa Boletini nuk ka munguar në shpalljen e pavarësisë. Këto janë dëshmitë që sjell nipi i tij që thotë se në 28 nëntor jemi nisur nga Fieri drejt Vlorës. Këtë e ka thënë edhe gazetarja e madhe amerikane madje edhe shënimet e konsujve austriakë, i cili largohet nga Durrësi drejt Vlorës. Do ta lëmë këtë një ekskluzivitet. Besoj që me vënien e ekspozitës. Isa ishte në Vlorë jo me vonesë. Isa nuk refuzoi të ishte Ministër i Mbrojtjes, por ai propozoi që në vend të tij Dërallën, një ushtarak nga Tetova se Ismail Qemali ia kishte rezervuar të ishte Ministër i Mbrojtjes. Për këto detaje është mirë që të thuhen edhe shkencërisht nga Akademia e Shkencave si e Kosovës dhe Shqipërisë dhe të jenë të qarta gjërat që të mos marrin rrugë të tjera”, theksoi ai në A2 CNN.
Nipi i Isa Boletinit paralajmëroi se shumë shpejt do të bëjë edhe një libër familjar për 20 vitet punës dhe përkushtimit që ka bërë ndaj kësaj figure.
“Ne kemi nevojë për bashkëpunim dhe të gjitha dilemat e kohës të hiqen dhe të jetë një histori e pastër se mungesa e institucioneve shumë herë na ka sjellë dilema. Dëshira ime është që t’i lë të gjitha punët e kryera që ata që vijnë pas meje të punojnë dinjitetshëm se rruga e Isa Boletinit ka qenë e shenjtë. Shumë shpejt do të bëj një libër familjar tash e 20 vite për të gjitha punët e përkushtimin që kam bërë. Dihet që Isa Boletini nuk ishte vetëm një luftëtar, por prek edhe pjesë të çështjes kombëtare në mënyrë internacionale në Stamboll, Romë, Vienë dhe së fundi në Konferencën e Londrës”, tha ai në A2 CNN.
Ai theksoi se ka nisur edhe një bashkëpunim me profesorë e njerëz që janë jashtë vendit duke filluar me arkivat e Stambollit deri në Londër.
“Isa nderohet, mirëpo 10 vitet e fundit kam hapur një bashkëpunim me profesorë e njerëz që janë jashtë vendit duke filluar me arkivat e Stambollit deri te Londra interesim nga Ministria e Kulturës që të bëhet një ekspoze në kompleksin e kullave që do sjellë informacione nga fotografitë, shënimet e gazetat e kohës, madje Isa Boletini nuk del vetëm luftëtar mali si e kanë paraqitur armiqtë e kohës, por edhe me vizion largpamës ku hapi shkollën e parë shqipe 1899 duke shkolluar djemtë e nipat e tij. Dua të falënderoj kolegët e profesorë që me përkrahjen e tyre kemi arritur sot këtu në Boletin, edhe pse ka nevojë për investime të reja se është një vend që ka dhënë shumë për çështjen kombëtare”, u shpreh Boletini në A2 CNN.
Trashëgimtari i Isa Boletinit rrëfeu aktivitete e zhvilluara në kullën e veshur me ngjyrat e flamurit përgjatë këtyre ditëve. Por ajo që e emocionoi më shumë është leximi i betimit të UÇK-së në kullë nga 400 nxënës.
"Kemi pasur shumë aktivitete në kullën tonë, kemi nisur me aktivitete shkencore dhe nxënës të shkollave të Mitrovicës me poezi e recitime. Kurse sot kemi filluar me vizita nga institucionet shtetërore. Nga veteranë të UÇK-së dhe qytetarë të shumtë nga viset shqiptare. Ky është vitit i tretë që ne e bëjmë kullën kuqezi si flamuri kombëtar. Nga ushqimet tradicionale te veshjet kombëtare kulla dje ka qenë tërheqëse për vizitorët. Sot kemi bërë shumë fotografi. Mitrovica e ndjen veten krenare që ka Isa Buletinin një nga figurat kyçe të shpalljes së pavarësisë. Gjithmonë e kujtojnë Isën si shembull. Edhe shkollat në veshjet kombëtare kanë bërë marshin në qytet. Shkolla e mesme e Mjekësisë Xheladin Deda më ka emocionuar. 400 nxënës kanë lexuar betimin e UÇK para kullës së Isës duke bërë betimin e UÇK-së në kullë një ditë para festës së flamurit”, theksoi ai në A2 CNN.
Kulla e Isa Boletinit daton 114 vjet më parë dhe është ndërtuar me fabrikën e gurëve të familjes së tyre.
“Kulla është 114-vjeçare është ndërtuar në 1911, përmban gurët e fabrikës së Boletinit. Familja jonë posedonte fabrikën e gurëve që kishte prekur territorin ballkanik. Është 80% e vjetër dhe 20% është restauruar në 2005. Regjimi komunist na dëboi nga kjo kullë u shndërrua në shkollë fillore. Ka pasur disa ndryshime se ka qenë në gjendje të rëndë, që nga viti ‘70 askush nuk ka jetuar në këtë objekt. Ka nevojë akoma për investime”. (A2 Televizion)