Shqiptarët e Preshevës, mesazh nga Tirana Gjykatës së Hagës

Nga A2 CNN
17 Tetor 2025, 16:45 | Aktualitet

Një delegacion i shqiptarëve të Preshevës ka mbërritur në Tiranë në protestën në mbështetje të UÇK-së. Në një prononcim për A2 CNN, kreu i Partisë Demokratike Shqiptare të Preshevës, Ragmi Mustafa tha se ata duan t’ i përçojnë një mesazh Hagës, duke mbështetur ish-presidentin Hashim Thaçi dhe kolegët e tij që sipas tij mbahen padrejtësisht në Hagë.

“Është një delegacion i PD shqiptare me seli në Preshevë, jemi dhe bashkë me mua dhe ushtarë të UÇK nga të gjithë dashamirësit që janë kundër padrejtësive që po ndodhin në gjykatën e Hagës. Edhe Presheva është me presidentin Thaçi dhe shokët e tij që po mbahen padrejtësisht në Hagë për të përçuar një mesazh se populli nuk dënon këta burra që i cilëson çlirimtarë. Nuk ka dyshim se dërgohen mesazhe nga protesta, sepse nëse gjykata thirret në një dënim të paramenduar ose paragjykuar në emër të popullit, ky është populli që nuk po e dënon, por kërkon çlirimin e tyre”, tha Mustafa për A2 CNN.

Të pyetur se politika e Kosovës dhe e Shqipërisë është e përçarë në këtë protestë, Mustafa u përgjigj: "Janë çështje personale të të dyve (Kurt-Rama). Unë udhëheq PDSH në Presheve dhe nuk kam asnjë inat e mëri ndaj kujtdo lideri politik në trojet shqiptare”.

Sipas tij autoritetet shqiptare nuk kanë bërë mjaftueshëm për shqiptarët e Preshevës dhe theksoi se janë ende të diskriminuar nga Beogradi.

“Nuk kanë bërë mjaftueshëm por akoma më shumë jemi të diskriminuar nga autoritete e Beogradit dhe ne e dimë në lëkurën tonë se ç’ përjetojmë nga diskriminimi monstruoz. Tani për tani Beogradi bën një fushatë shumë të ashpër për dëbimin e shqiptarëve nga trojet autoktone”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos