Shteti i ri Bektashi, Rama: Kritikat nga padija, do të jetë proces i gjatë

Nga Ervin Koçi
25 Shtator 2024, 14:52 | Aktualitet

Pas vorbullës së krijuar në opinion publik me idenë e krijimit të një shteti sovran bektashi në mes të Tiranës, Edi Rama i dha fund heshtjes për të kristalizuar edhe më idenë e tij.

Në një reagim në rrjetet sociale, i cili me orën e Amerikës ku ndodhet tani përkonte me pas mesnatën, Edi Rama dha lajmin e parë se kjo ide do të marrë shumë kohë për t’u jetësuar, dhe jetësimi do të ndodhë vetëm nëse plotësohen kushtet.

“Gjithsesi, nga ideja tek jetësimi i saj ka një kohë të tërë për t’u kthjelluar çdo gjë dhe një proces të tërë publik e legjislativ për t’u zhvilluar, kështu që nuk ka asnjë ngut e asnjë nevojë për polemika të kota.”

Në rreshtat e hedhur në rrjetet sociale ai shpjegoi edhe përse bektashizmi në Shqipëri ka nevojë për një urdhër sovran, duke e cilësuar këtë element si mburojë të këtij komuniteti fetar. 

“Ndryshe nga komunitetet e tjera, të cilat kanë avantazhin e natyrshëm të përkatësisë në komunitete shumë të mëdha me shtrirje globale, komuniteti bektashi është si të thuash “jetim” në këtë këndvështrim. Prandaj afërmendsh që ngritja e statusit të Kryegjyshatës Botërore në Shqipëri në nivelin e një entiteti sovran, do të garantonte një vazhdimësi të qëndrueshme të ekzistencës së tij për breza të tërë.”

Ato që i kishte mbetur më shumë në mendje kishin qenë akuzat nga kundërshtarët e tij, të cilëve u tregon kontributin e bektashizmit në historinë shqiptare. 

“E vetmja gjë që nuk kam dëgjuar të thuhet nga kundërshtarët e zjarrtë të kësaj ideje është qoftë edhe një fjali me kuptim, mbi historinë dhe rolin e bektashinjve në fatet e kombit e të shtetit tonë, se mirë për sfidat e mbijetesës së Urdhrit Bektashi sot e gjithë ditën duket që as nuk do t’ia dijë askush nga ata që çfarë s’po nxjerrin prej goje!”

Debati publik filloi katër ditë më parë kur Edi Rama në një intervistë në NY Times publikoi idenë e tij, e cila prej së shtunës është bërë kryefjalë akuzave politike e fetare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos