Si u helmuan fëmijët në Gramsh? Ekspertja: Ka shumë pikëpyetje

Nga A2 CNN
30 Maj 2025, 19:50 | Aktualitet

Ekspertja për sigurinë ushqimore Esmeralda Ballesha ngre pikëpyetjet mbi helmimin e fëmijëve në kopshtin numër 1 në Gramsh. Bazuar në informacionet e deritanishme zyrtare mbi këtë rast, ajo tha që nëse nuk është marrë nga veza, i vetmi opsion është që të jetë një kros kontaminim. Në studion e A2 CNN me Andi Nurajn, ekspertja theksoi se duhet të ketë më shumë informacion nga AKU-ja.

“Në rast se nuk është nga veza i vetmi opsion është që të jetë një kros kontaminim dhe fëmijët e kanë marrë salmonelën nga një format i tretë. Veza nuk ka patur slamonelë, por mund të jetë përcjellë nga pula. Sipas informacioneve që kemi atë ditë aty është konsumuar pulë. Në pulë nuk është verifikuar salmonela se ka qenë e pjekur plotësisht. Punonjësit mund të mos kenë pasur informacion dhe masat që duhet të marrim për higjienën dhe gatimin e produkteve veçanërisht atyre shtazore. Duhet më shumë informacion nga AKU se nëse veza është zierë, salmonela asgjësohet. Dhe për mua është pikëpyetje si arrijnë të dalin nga veza me salmonelë, ndërsa veza vetë është pa salmonelë”, tha ekspertja në A2 CNN.

Pikëpyetje ekspertja ngriti edhe mbi trajnimin e punonjësve të kopshteve, të cilët sipas saj duhen trajnuar vazhdimisht për sigurinë ushqimore.

“Kam pikëpyetjet e mia edhe për punonjësit nëse janë në dijeni por duhen trajnuar herë pas herë për sigurinë ushqimore”.

E pyetur nëse është një rast që po fshihet, ajo u shpreh: “Ajo që kemi vënë re në të gjitha rastet e skandaleve të sigurisë ushqimore e shohim që ka vonesë nga institucionet publike që janë të detyruar të japin informacion të shpejtë. Risqet te siguria ushqimore janë shumë të larta”.

Ekspertja theksoi se siguria ushqimore në vendin tonë është larg standardeve europiane.

“Diçka nuk shkon në këtë sistem. Ne po bëjmë reformim të plotë por informacioni nuk është aq i plotë. Shqipëria do të ngelë në klasë. Institucionet larg standardeve të BE-së”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos