
Situata pas motit të keq në qarkun e Korçës po shkon drejt përmirësimit, megjithëse vijojnë ende disa problematika të lokalizuara.
Sipas raportimeve nga strukturat përgjegjëse, nga 600 abonentë të raportuar pa energji elektrike në orët e mëngjesit, aktualisht rezulton se janë vetëm 4 fiderë pjesërisht të stakuar, duke lënë pa energji rreth 80 abonentë në zonat rurale.
Në zonat urbane nuk raportohen kufizime në furnizimin me energji elektrike, shkruan A2 CNN.
Nga bashkitë bëhet me dije se mbeten ende të bllokuara rrugët në fshatrat Zall Torrë, Slabinjë, Malinë dhe Dunicë, ku po punohet për normalizimin e situatës. Strukturat e emergjencave civile po e ndjekin situatën në mënyrë të vazhdueshme.
Ndërkohë, segmenti rrugor në fshatin Mesmal, ku ka pasur rrëshqitje dherash, si dhe segmenti në fshatin Lozhan i Lartë, ku po kryhen punime, pritet të hapen brenda pak orësh.
Autoritetet konfirmojnë se akset kombëtare dhe akset turistike janë të hapura dhe plotësisht të qarkullueshme. (A2 Televizion)