Situata nga moti në Qarkun Korçë, përmbytje në disa bashki, rritet niveli i lumenjve

Nga Artin Halili
19 Nëntor 2025, 14:35 | Aktualitet

Reshjet intensive gjatë 24 orëve të fundit kanë shkaktuar një sërë problemesh në qarkun e Korçës, duke vënë në veprim strukturat vendore, emergjencat civile dhe institucionet përgjegjëse për menaxhimin e situatës. Sipas raportimeve nga terreni, më shumë se pesë bashki janë përballur me përmbytje lokale, dëmtime të infrastrukturës rrugore dhe rritje të rrezikshme të niveleve ujore në lumenj e rezervuarë.

Në Bashkinë Pustec, dalja e ujit në segmentin rrugor Lajthizë–Liqenas solli vështirësi në qarkullim, por ndërhyrja e ekipeve të shërbimit ka ndihmuar në normalizimin e situatës, shkruan A2 CNN. Ndërkohë, në Pogradec, fshati Gështenjas regjistroi pengesa serioze në kanalizime, ku po punohet për orientimin e ujërave të shiut. OSHEE raportoi defekte në disa fshatra, përfshirë Slatinë, Selihtë dhe Shpellë, me ekipet në terren për rikthimin e energjisë elektrike.

Situata nga moti në Qarkun Korçë, përmbytje në disa

Situata paraqitet më problematike në Devoll, ku në fshatin Çetë është bllokuar qarkullimi mbi urë për shkak të rrezikshmërisë së shtuar. Ndërkohë në Cangonj, prania e ujit në oborret e dy banesave ka kërkuar ndërhyrje emergjente për largimin e tij.

Në Korçë, aksi Denas–Lekas rezulton i pakalueshëm pasi prurjet e larta të një përrua pa urë e bënë rrugën të rrezikshme. Voskopojë është një tjetër zonë nën vëzhgim, pasi ujëmbledhësi lokal ka arritur nivele të larta, por ndërhyrjet me mjetet e rënda po e stabilizojnë situatën.

Edhe Kolonja është përballur me sfida të shumta. Rritja e prurjeve në lumin e fshatit Mesiçkë ka rrezikuar urën dhe shtylla të energjisë elektrike. Probleme të ngjashme janë raportuar në fshatin Mollas, ndërsa rezervuari i Rotit ka arritur vetëm 20–30 cm nën nivelin maksimal, duke detyruar hapjen e shkarkuesve. Ndërhyrjet janë duke vazhduar në disa fshatra të zonës, ndërsa disa akse rrugore janë pastruar dhe janë të kalueshme.

Situata nga moti në Qarkun Korçë, përmbytje në disa

ARRSH njofton se në akset Maliq-Lozhan, Ersekë–Leskovik dhe Qafa e Qarrit–Ersekë, punimet për pastrimin dhe sistemimin e ujërave vijojnë me intensitet.

Megjithë këto probleme, autoritetet konfirmojnë se deri në këto momente nuk ka situata që rrezikojnë jetën e banorëve, por shumë zona mbeten nën monitorim të vazhdueshëm për shkak të prurjeve të larta dhe reshjeve që pritet të vijojnë. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos