
Qarku i Korçës po përballet me problematika të shumta si pasojë e reshjeve të shiut dhe borës, rritjes së prurjeve në lumenj dhe shkarjeve të dherave. Sipas informacionit zyrtar të përditësuar më 10.01.2026, ora 19:30, nga strukturat e Mbrojtjes Civile, bashkitë dhe institucionet përgjegjëse, situata në territor paraqitet e monitoruar, ndërsa ndërhyrjet në terren vijojnë.
Në Bashkinë Kolonjë, prishja e urës së Prodanit, rritja e nivelit të ujit dhe prania e inerteve rrezikojnë lidhjen midis fshatrave Gjonc–Prodan, si dhe aksin nacional Ersekë–Leskovik, duke prekur zonat Tac dhe Ersekë. Po punohet për pastrimin e shtratit. Në Borovë, rruga nacionale ka pësuar çedim në një pikë të segmentit, ndërsa qarkullimi kryhet me një korsi, teksa subjekti kontraktor po punon për hapjen e një korsie shtesë. Ndërkohë, rezervuarët e Kabashit, Leskovikut (Shelegur) dhe Helmes kanë hapur ujëlëshuesit fundorë dhe furnizimi nga përroi i Bezhanit është ndërprerë, duke e mbajtur situatën nën kontroll, shkruan A2.
Në Bashkinë Korçë, në km 7 të aksit Korçë–Voskopojë kanë nisur reshjet e borës, por pastrimi dhe kriposja po kryhen dhe qarkullimi vijon normal. Në aksin Boboshticë–Dardhë ka çedim të rrugës dhe qarkullimi realizohet me një korsi, ndërsa për shkak të reshjeve të borës me intensitet mesatar lejohet vetëm kalimi i mjeteve me goma dimërore. Në lagjen nr. 5, në shëtitoren “Fan Noli”, është rrëzuar një mur rrethues i një ndërtese të pabanuar, pa pasoja në njerëz apo mjete; bashkia ka ndërhyrë menjëherë për pastrimin e zonës.
Në Bashkinë Pogradec, në aksin Qafë Plloçë–Qukës, në zonën e quajtur Ura e Golikut, ka shkarje dherash në shtratin e rrugës dhe po vijon pastrimi. Në dalje të fshatit Udenisht drejt Pogradecit ka prezencë uji në rrugën nacionale dhe po merren masa për pastrim, si dhe po vlerësohet ndërhyrja në tobinot sipër. Si pasojë e shkarjeve dhe gërryerjeve, janë evakuuar një familje në Çërravë, tre familje në Dardhas dhe një familje në Verdovë; familjet do të trajtohen me bonus qeraje nga bashkia. Në fshatin Çezmë, Njësia Administrative Trebinjë, ka shkarje dherash, por aktualisht nuk rrezikohen banesa dhe situata po monitorohet.
Në Bashkinë Maliq, rritja e prurjeve të Lumit të Mesmalit ka shkaktuar gërryerje serioze të argjinaturës pranë trupit të rrugës, në afërsi të urës në zonën “Miniera e Selcës”, Njësia Administrative Gorë, si dhe pranë Urës së Selcës. Në rrugën Kakaç–Vërçun vijon puna për pastrimin e masivit të dherave.
Në Bashkinë Pustec, shërbimi zjarrfikës ka përfunduar ndërhyrjen për largimin e ujit nga një banesë në fshatin Pustec. Ndërsa në Bashkinë Devoll, situata paraqitet e qetë; uji është tërhequr nga rrugët në fshatin Proger dhe vijon puna për mbylljen e çarjes në argjinaturën e lumit Oshticë. Të gjitha akset rrugore në territorin e bashkisë Devoll rezultojnë të hapura. (A2 Televizion)