Revolta e Spaçit që përfundoi me pushkatimin e katër ish të burgosurve politikë dhe dënimin e dhjetëra të tjerëve me burgime të përjetshme u risoll në Kinema Republika në Shkodër nëpërmjet një dokumentari kushtuar kësaj ngjarje që në vitin 1973 tentoi të kundërshtonte regjimin e egër komunist të Shqipërisë.
Dokumentari solli dëshmi të personave që e kanë përjetuar atë burgosje në një nga burgjet më famëkeqe të Europës, shkruan A2 CNN. Por për presidentin e Unionit Mbarëkombëtar të ish-të përndjekurve politikë, Spaçi nuk rikthehet thjesht si një datë, por si një thirrje të dinjitetit njerëzor për dënimin e krimeve të komunizmit si dhe gjetjen e 6000 personave që edhe sot pas 35 viteve demokraci nuk dihet se ku janë varrosur.
Shqipëria hesht vëllezër dhe motra 6000 të vrarë ka. 6 milionë kishte Izraeli. Shqipëria ka 6000 se ishte 1 milion banorë. Dhe s'ka turp më të madh. Dy parti politike në Shqipëri 35 vjet i lënë 6000 familje shqiptare duke kërkuar eshtrat dhe heshtin pa pikë turpi tamam si kriminelët e Enver Hoxhës. Shqipëria është i vetmi vend stalinist në Europë që nuk i dënoi kurrë krimet e komunizmit. Dhe e dini ç më tha Papa Françesku në Vatikan? Pse Shqipëria ka gjithë këto krime dhe nuk i dënon? Dhe unë ju përgjigja, akoma Shqipëria vazhdon të jetë në diktatorë”, tha Besim Ndregjoni.
Për ish-të përndjekurit politikë, liria e fjalës është shumë pak për të ashtuquajturën demokraci në Shqipëri. (A2 Televizion)