Te mjeku vetëm kur kemi dhimbje? “Kujdesi për dhëmbët ende i ulët, kequshqyerja po i prish më shpejt”

Nga Ornela Joti
23 Mars 2025, 16:38 | Aktualitet

Edhe kur bëhet fjalë për shëndetin e gojës, shqiptarët shkojnë te mjeku vetëm kur kanë dhimbje. Stomatologët tregojnë se kujdesi për shëndetin oral në popullsinë tonë është ende i ulët. Ky fenomen haset më shpesh tek të rriturit dhe veçanërisht në zonat rurale.

Por pacientët na thonë se për shkak të pamundësisë financiare dhe kostove të larta të këtij shërbimi,  neglizhojnë dhëmbët që për ta nuk përbëjnë rrezik jete. Për këtë arsye shumë qytetarë, veçanërisht të moshuar i drejtohen klinikës Universitare të Stomatologjisë në QSUT për shërbime falas apo me  tarifa të reduktuara.

Mbi 12 mijë qytetarë në vit, fëmijë e të rritur, marrin shërbime falas apo me tarifa të reduktuara në klinikën stomatologjike universitare. Belisa Kaleci, drejtore e klinikës thekson nevojën e rritjes së edukatës shëndetësore për mirëmbajtjen e gojës. Keq ushqyerja, sipas saj, është një nga shkaqet e prishjes së dhëmbëve si te fëmijët ashtu dhe tek të rriturit.

Në ditët ndërkombëtare të shëndetit oral mjekët këshillojnë kujdes për higjienën e gojës. Një dhëmb i prishur apo i infektuar mund të bëhet shkak për sëmundje të tjera nga ato kardiovaskulare dhe të tjera. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos