Ndonëse sot është ndër qytetet e fundit ku po ndihet rilindja urbane, historia dhe e kaluara e Peqinit, i njohur edhe si Klaudiana, tregojnë se qyteti ka pasur tjetër rëndësi dhe tjetër zhvillim.
Këtë fakt e vërteton edhe kulla e sahatit, e cila është ndërtuar gati një shekull më parë. Një ndër objektet identifikuese të këtij qyteti, që edhe sot punon njësoj si 100 vite më parë. Dhe këtë meritë, përveç atyre që e ndërtuan, e kanë edhe kujdestarët e Sahatit të Peqinit.
A2 CNN ka intervistuar Ardjan Kamarën, 69-vjeçarin i cili vijon të trashëgojë punën e babait të tij si kujdestar i mekanizmit të orës një shekullore.
Ardjani na tregon konkretisht edhe procesin e mirëmbajtjes së mekanizmit të orës dhe mënyrën se si funksionon.
Pasioni, më shumë sesa një punë që duhet bërë, e ka kthyer familjen Kamara në Peqin në një kujdestare të sahatit, kujdes i cili me gjasë do të vijojë edhe në breza të tjerë, duke ruajtur me fanatizëm një ndër vlerat historike të këtij qyteti. (A2 Televizion)