Një e treta në blerje pronash, mbi 1.6 miliardë euro investime të huaja në vitin 2025

Nga Marjo Brakaj
6 Prill 2026, 15:23 | Ekonomi

Me gjithë krizën për të gjetur punonjës, kostot e shtuara nga rritja e pagave dhe forcimi i lekut, sipërmarrësit e huaj po vijojnë të investojnë në Shqipëri. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se vlera e investimeve nga jashtë vjet kapi shifrën e mbi 1.6 miliardë eurove, 55 milionë më tepër se në 2024-n. Ky është niveli më i lartë i shënuar ndonjëherë, shkruan A2CNN.

 “Është shifër e madhe për Shqipërinë, marrë parasysh se kjo e fundit është e vogël. Është një trend pozitiv. Kemi ecur mirë, por sërish është i vogël”, tha investitori amerikan Mark Crawford.

Rritja e vlerës së pronave në vend ka tërhequr edhe vëmendjen e të huajve duke renditur në krye të investimeve të huaja pikërisht blerjet e pasurive të patundshme me 561 milionë euro. Lista pasohet nga investimet në industrinë nxjerrëse, të energjisë dhe përpunimit.

 “Ka shumë turistë të huaj që veçanërisht po investojnë te pasuritë e paluajtshme dhe jo vetëm Janë sektor ku përgjithësish nuk kërkohet ndonjë fuqi punëtore e madhe. Gjithçka gjendet gati dhe investimi kryhet pa pengesa”, u shpreh Crawford.

Megjithatë, rritja e investimeve të huaja tashmë po dominohet dukshëm nga fitimet e ri-investuara të ndërmarrjeve, ndërsa prurjet e reja të kapitalit janë pothuajse në vendnumëro. Sipas Bankës së Shqipërisë, fitimet e riinvestuara gjatë vitit të shkuar arritën në 929 milionë euro, ose sa 54 për qind e fluksit total të investimeve në 12 muaj.

 “Ky duhet lexuar si lajm pozitiv pasi tregon se kapitali nuk po shkon jashtë, por po ri-investohet në Shqipëri”, përfundoi Crawford.

Sa i takon hartës gjeografike se nga po vijnë investimet e huaja, referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë lista kryesohet nga Holanda, Italia, Kosova, Turqia dhe Austria me vlerën më të madhe të investimeve në Shqipëri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos