Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka reaguar ashpër ndaj thirrjeve ksenofobike dhe nacionaliste që u dëgjuan gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë dhe Rumanisë, e zhvilluar në Kumanovë.
Në një përgjigje për mediat, Mickoski theksoi se grupet e tifozëve duhet të mbështesin ekipet e tyre në mënyrë sportive dhe të përmbahen nga çdo formë ofendimi apo diskriminimi, shkruan A2 CNN.
“Gjatë ndeshjes nuk e vura re fare këtë sjellje, sepse bëhej fjalë për një grup shumë të vogël personash. Por, dua ta shfrytëzoj këtë rast për t’iu bashkuar dënimit ndaj çdo forme të nacionalizmit dhe ksenofobisë që ndodhi në këtë ndeshje. U bëj thirrje të gjithë tifozëve të mbështesin kombëtaren tonë në mënyrë dinjitoze dhe sportive. Kjo është ajo që mbështet kjo Qeveri”, tha Mickoski.
Ai shtoi se çdo incident i këtij lloji do të jetë objekt hetimi dhe ndëshkimi, pa dallim se nga kush vjen. (A2 Televizion)