Turizëm gjithëvjetor, Berati, destinacion i preferuar edhe në dimër

Nga Gazment Janku
9 Shkurt 2026, 19:45 | Aktualitet

Qyteti i Beratit pret çdo ditë qindra vizitorë, edhe pse jemi ende larg nisjes së sezonit turistik. Qyteti i një mbi një dritareve vijon të mbetet një nga destinacionet më të vizituara në vend, me turistë vendas dhe të huaj që kanë zgjedhur ta vizitojnë këtë qytet historik edhe gjatë dimrit, duke dëshmuar se Berati po kthehet gjithnjë e më shumë në një destinacion turistik të preferuar gjatë gjithë vitit.

Një nga pikat kryesore që tërheq vëmendjen e vizitorëve mbetet Kalaja e Beratit, simbol i historisë dhe identitetit të qytetit. Në rrugicat karakteristike prej guri dhe brenda mureve të kalasë, gjatë këtyre ditëve janë parë dhjetëra turistë, të cilët kanë zgjedhur këtë periudhë për të shijuar më qetë monumentet dhe atmosferën autentike, pa fluksin e madh që shoqëron muajt e verës, shkruan A2 CNN.

“Është më i bukur se në foto, më i vërtetë sesa në foto. Është shumë unik. Vij nga Australia, është një vend shumë i madh, por Berati po ashtu është i mrekullueshëm, me lumin në mes të qytetit. Është i bukur, do të vijmë sërish. Beratin e kemi parë në foto, kërkuam për të dhe gjetëm informacion. Këtu njerëzit janë shumë mikpritës, të kujdesshëm dhe kjo na bën që ta shijojmë shumë këtë udhëtim.”

“Isha në Tiranë dhe erdha në Berat. Kisha dëgjuar shumë për këtë qytet. Është një vend i bukur, ka një histori të pasur, e gjithë arkitektura tregon për një histori të lashtë. Është vend i bukur për të bërë foto.”

“Erdha për një udhëtim të shkurtër në Shqipëri. Këtu provova ‘Tavë Kosi’, ishte fantastike.”

Me afrimin e sezonit turistik, pritet që fluksi i turistëve të rritet ndjeshëm. Mesatarisht, Berati ka pritur vitet e fundit rreth 1 milion turistë, duke e kthyer atë në një nga qytetet më të frekuentuara të Shqipërisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos